'Narkomania', ministria nuk komenton për Qendrën në Çair

2015-08-21 1

Ministria e Shëndetësisë nuk ka komentuar sot qëndrimin e kreut të Çairit Izet Mexhiti i cili tha se në komunën e tij do të dislokohet qendra për persona të varur nga narkotikët. Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk ka një pilot projekt të këtillë andaj edhe nuk mund të komentojnë asgjë lidhur me këtë. Kryetari i Çairit Izet Mexhiti, doli dje kundër idesë për dislokimit të qendrës për personat e varur nga narkotikët nga Kisella Voda në Çair.

"Dërgoj porosi të qartë deri tek ata që janë kompetent, që merren me realizimin e këtij projekti në kuadër të ministrisë së shëndetësisë dhe vetë ministrit të shëndetësisë që ne mund të pranojmë nëse ky projekt fillon në 10 komunat e qytetit të Shkupit përnjëherë dhe secila komunë ti trajton qytetarët e vet që janë të varur nga narkotikët", deklaroi ditë më parë Izet Mexhiti, kryetar i komunës Çair.

Gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kryetarja e Kisella Vodës Biljana Beliçanec Aleksiq dhe ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov kishin vizituar qendrën për të varurit nga narkotikët në Kisella Vodë. Ata kishin paralajmëruar se do të shndërrohet në poliklinikë për nevojat e qytetarëve kurse për të varurit duhet të kujdeset çdo komunë individualisht. Nga komuna e Kisella Vodës për televizionin Alsat sot informuan se zhvendosja edhe nuk ka filluar.

"Skepticizmi tek popullata vendore sa i takon lokacionit të Qendrës, këtyre ditëve u vërtetuam sepse në terren unë si kandidate për kryetarë komune, edhe ata me vite të tëra janë përpjekur të tregojnë për këtë problem, të merret me seriozitet dhe përfundimisht të zgjidhet. Me respekt ndaj shfrytëzuesve të shërbimeve të kësaj Qendre ditore, unë vlerësoj se secila komunë duhet të kujdeset për atë kategori të njerëzve dhe t'i strehojnë ato në komunat e tyre", tha Biljana Beliçanec Aleksiq, kryetare e Kisella Vodës.

Nga Komuna e Kisella Vodës njoftuan sot se dislokimi i qendrës do të fillojë kur komunat do të jenë të gatshme të kujdesen për të varurit nga narkotikët. Bojana Simonoviq