TIRANË - Dy vëllezërit Jak Jaku dhe Ndue Jaku pritet të përballen me drejtësinë pas sekuestrimit të armëve luftarake dhe lëndës narkotike të gjetur në shtëpinë e tyre nga policia pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj në shkurt të këtij viti.
Jak Jaku u arrestua në Greqi sëbashku me biznesmenin Arben Frroku pas një urdhër-arresti ndërkombëtar pas vrasjes së kryekomisarit. Ai ndodhet i arrestuar në Greqi, në pritje të ekstradimit, ndërsa vëllai i tij Ndue Jaku është i arrestuar në Shqipëri.
Asokohe, Jaku u ndalua në lidhje me vrasjen e Lamajt, por pas hetimeve, i dyshuar kryesor rezultoi vetëm Arben Frroku, që edhe ky pritet të ekstradohet nga Greqia pas disa ditëve.
Jak dhe Ndue Jaku do të gjykohen, në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës, për akuzën e posedimit të lëndëve narkotike dhe armëve luftarake në sasi të mëdha.