Pas vizitës zyrtare të kryetarit të BDI-së Ahmeti në Athinë, dhe optimizmit të tij për misionin e ndërmjetësit Methju Nimic, ky i fundit më 9 shtator do të qëndrojë në Greqi, ndërsa më datë 10 do të vizitojë Shkupin. Nuk dihet nëse ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit në Shkup dhe Athinë do të vijë me propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së emrit. Lideri i BDI-së Ahmeti pas takimit të djeshëm me zv/ kryeministrin dhe ministrin grek të punëve të jashtme Evangeliz Venizelos u shpreh optimist për misionin e Nimicit.
"Mendoj se z. Nimic është person i cili duhet të menaxhojë me problemin i cili problem ne na pengon për tu anëtarësuar apo për të marrë ftesë drejt anëtarësimit në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, do të shohim dhe do të presim nga zhvillimet se si do të bëhen me vizitën e z. Nimic. Zoti Nimic është i ngarkuar pikërisht për një temë kaq të rëndësishme e cila po aq na intereson edhe neve, kështu që ne mbetemi optimist se z.Nimic vjen me një mision", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ndërsa vetëm disa orë pas takimit me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm grek Evangelis Venizelos ka realizuar një takim me kryeministrin e Greqisë Antonis Samaras. Siç njofton Agjencia informative greke Anampa, Venizelos me kryeministrin grek Samaras kanë biseduar edhe për çështjen e emrit.
"Kryeministri i Greqisë Antonis Samaras dhe lideri i PASOK-ut, zv.kryeministri i Qeverisë Venizelos, mbrëmë kanë realizuar një takim në Qeveri për të biseduar për zhvillimet e fundit. Sipas burimeve të PASOK-ut, temë kryesore e bisedimeve ka qenë politika e jashtme dhe zhvillimet në Siri, Egjipt dhe Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në bisedën për IRJM-në ka marrë pjesë edhe zv/ ministri i jashtëm grek Dimitris Kurkullas", shkruan agjencia informative greke Anampa.
Ahmeti tha mbrëmë në Athinë se Greqia është për integrim të vendit tonë në të gjitha strukturat por kërkon që të mbyllet çështja e emrit. Me pritje shtetërore të armatës Greke, kryetari i BDI-së Ahmeti u prit edhe nga ministri i mbrojtjes së Greqisë Dimitrij Avramopullos. Ahmeti nga Athina paralajmëroi dje se ofensiva diplomatike e BDI-së do të vazhdojë edhe në vende tjera anëtarë të Bashkimit Evropian. Shkëlzen Aqifi