TIRANE - Me vendimin për "zmadhimin" e Tiranës, Lulzim Basha ka siguruar për firmat e ndërtimit pranë tij jo pak, por 14 kilometra katrorë truall ndërtimi. Ndërkohë, një gjë e tillë ishte e pamundur deri pak kohë më parë, pasi Plani Rregullues i kryeqytetit bllokohej nga Berisha, si kryetar i KRRTRSH-së.
Heqja e stacionit të trenit, që nisi ditën e shtunë, ka qenë vetëm hapi i parë drejt realizimit të planit të ri rregullues të Tiranës. Në fakt, sikurse sqaroi dje Bashkia e Tiranës, stacioni i trenit vetëm se do të spostohet, për t'u bërë edhe më funksional, duke u bashkuar në një terminal pasagjerësh, ku të përfshihen edhe linjat e autobusëve. Por, largimi i stacionit hap një hapësirë ndërtimore, që nuk ekzistonte më parë, pikërisht në momentin kur dukej se Tirana nuk kishte më vend se ku të ndërtohej.