Qeveria thjeshtësoi kushtet për ndarjen e mjeteve të lira financiare për kompanitë të cilat hapin vende të reja pune. Sipas zëdhënësit qeveritar, Aleksandar Gjorgjiev, për marrjen e kredisë mjafton që në ndërmarrje të ketë të paktën një të punësuar dhe jo si kërkohej deri tani më së paku dy të punësuar. Personin të cilin ndërmarrja planifikon ta punësojë, nuk është obliguar të figurojë në evidencën e Agjencisë për punësim, së paku 3 muaj, por vetëm një ditë. Qeveria e obligoi Agjencinë për punësim që gjatë javës së ardhshme të shpall konkurs të ri për të aplikuar.
"Në këtë konkurs do të mund të konkurrojnë të gjitha subjektet tregtare të cilat kanë të paktën një të punësuar në ndërmarrjen e tyre. Çdo vend i ri i hapur i punës do të financohet me kredi të lirë prej 3 mijë euro, ndërsa numri maksimal i personave që mund të punësohen përmes kësaj mase, në suaza të një konkursi është tre persona. Do të thotë, një kompani mund të kërkojë gjithsej 9 mijë euro", tha Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë
Afati për kthimin e mjeteve të cilat do t'i marrë aplikuesi është 3 vite, dhe normë të interesit prej vetëm 1 për qind. Aplikuesi i cili ka marrë mjete nuk do të guxojë ta zvogëlojë numrin e punëtorëve për të cilët ka marrë mjete në periudhë prej 36 muajve dhe nëse pushon nga puna ndonjërin prej tyre, në vend të tij duhet të punësojë një person tjetër. Masa qeveritare për kreditimin e kompanive u miratua në fillim të këtij viti. Deri tani janë realizuar tre konkurse në të cilat janë miratuar kredi për mbi 250 persona. Petar Bllazhevski