VMRO dhe LSDM thyejnë shtizat rreth 'kualifikimeve juridike'

2015-08-21 1

Ndërsa në kuvend formohej grupi i punës për implementimin e raportit të Komisionit hetimor të ngjarjeve të 24 dhjetorit, jashtë tij, VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja thyen shtizat rreth kualifikimeve juridike. Kreu i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski, edhe njëherë sot deklaroi në mënyrë të prerë se Grupi i Punës nuk ka mandat për t'u marrë me kualifikimet juridike, por vetëm me implementimin e rekomandimeve për të cilat është arritur pajtueshmëri.

"Grupi i Punës nuk do të merret me kualifikimet juridike, por me rekomandimet ndaj të cilave është arritur marrëveshje në kuadër të komisionit "Ad Hoc", dhe për të cilat, edhe të shtunën, theksova se ato janë të papranueshme për ne, nuk i njohim, nuk kemi dhënë konsensus... Ndërsa për rekomandimet dhe konkluzionet, kemi konsensus të përbashkët, kështu që nuk duhet të ketë ndonjë problem në atë komision. Vetëm në rast se dikush dëshiron të krijojë probleme", tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, nga LSDM-ja dolën me kundra argumente se VMRO-ja po tenton t'i shmanget të vërtetës së dhimbshme. Ai është dokumenti zyrtar dhe i plotfuqishëm ku është nënvizuar largimi me dhunë i gazetarëve dhe deputetëve nga salla e Kuvendit dhe se pushteti ka shkelur kushtetutën, aktin më të lartë të shtetit dhe ëpr këtë kërkoi edhe dorëheqjen e kreut të Kuvendit Trajko Veljanoski.

"Edhe njëherë theksojmë; raporti i 24 dhjetorit është miratuar njëzëri dhe i nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit. Vënia e vërejtjeve gjatë nënshkrimit të raportit nga ana e anëtarëve të VMRO DPMNE-së nuk ka kurrfarë ndikimi në vlefshmërinë e plotë të raportit si në pjesën politike po ashtu edhe në atë juridike. Gruevski duhet t'i sqaroj opinionit pse nuk e përdor këtë shpifje pas nënshkrimit të marrëveshjeve, edhe për marrëveshjet e huamarrjeve. Pse pas firmës së tij nuk shkruan fusnotë në të cilën të qëndrojë; "pa pëlqimin e qytetarëve të Maqedonisë", u shpreh Radmilla Sheqerinska, nënkryetare e LSDM-së.

Sipas Sheqerinskës, pushteti dhe VMRO DPME-ja kanë dy qëndrime rreth raportit të Komisionit, një për përdorim brenda vendit dhe tjetrin për përdorim ndërkombëtar. Sheqerinska pyeti madje Gruevskin se përse nuk e njofton Fylen, i cili e ka përshëndetur miratimin e raportit me konsensus, se raporti është një copë letre e pavlerë. Bedri Rexhallari