83 zjarre brenda më pak se një muaji. Ky është bilanci që paraqiti sot Njësia e Zjarrfikësve të Tetovës (NJZT), e cila njoftoi se të gjitha ndërhyrjet e saj, kanë qenë të suksesshme për shuarjen e tyre. Komandanti i kësaj njësie, Ukë Aliti e quan gushtin, muajin rekord të shënimit të zjarreve. Vetëm 60 % e zjarreve kanë ndodhur në sipërfaqe të hapura. Në të gjitha zjarret, shkaktar ka qenë faktori njeri. Njësia Territoriale e zjarrfikësve të Tetovës u bën apel banorëve të tregohen më të kujdesshëm me hedhjen e bishtave të cigareve, përndryshe do të përballen me gjoba të mëdha dhe burg.
"Gjatë shfaqjes së këtyre zjarreve, mund të përmend se faktori kryesor ka qenë faktori njeri, edhe atë nga mos kujdesi i tyre. Zjarret që përhapen në natyrë janë nga faktori njeri apo nga hedhja e cigareve, ndezja e zjarreve, pra është pakujdesi e madhe e faktorit njeri. Një të tillë do e theksoj në fshatin Raotincë, ku kemi intervenuar në parandalimin e përhapjes së tij nëpër shtëpi, në fshatin Raotincë, iu dogj një pasuri e konsiderueshme pronarit, bagëtia u dogj dhe krejt mjetet e punës", deklaroi Ukë Aliti, komandant i NJZT-së. Alsat-M