Sektori minerar, vitin e fundit, është sektori më nxitës i rritjes së ekonomisë së vendit. Pronarët e minierave shprehen të kënaqur nga dispozitat ligjore dhe paralajmërojnë periudhë të qëndrueshme, me tendencë të rritjes së veprimtarisë. Shifrat negative kanë të bëjnë me pjesën e sigurisë së punëtorëve. Vitet e fundit, nëpër minierat e vendit, kanë humbur jetën dhjetëra persona, shumica e të cilëve në minierën Sasa, Zletovë dhe Toranicë. Një ditë para Ditës së Minatorëve, ministri i Ekonomisë Valon Saraçini tha se në miniera kanë nisur inspektimet për sigurinë në punë.
"Dua të apeloj te të gjithë investitorët te tashëm dhe të ardhshëm që përveç që duhet të respektohet ligji i lëndës së parë të mineraleve ku në mënyrë decime janë të definuar kushtet që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e minatorëve dhe për përmirësimin e kushteve të punës së tyre unë dua të apeloj që të shkojnë edhe një hap përpara dhe të bëjnë investime edhe më të mëdha në drejtim të mbrojtjes së të drejtave mirëpo edhe kushteve të punëtorëve apo të minatorëve sepse tek e fundit ata e kanë më së rëndi dhe puna e tyre në fakt ka lëvizur pozitivisht ekonominë në vitin 2013", deklaroi
Valon Saraçini, ministër i ekonomisë.
Paga mesatare që merr një minator në Maqedonisë është afërsisht 400 euro. Numri 'një' i shoqatës së minatorëve dhe drejtori i minierës Buçim, Nikolajço Nikolov thotë se puna në minierë është gjithmonë e rrezikshme, por ka mënyra që ky rrezik të reduktohet. Sipas tij, menaxherët e minierave duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje jetës së njeriut.
"Shumë nga rastet e fatkeqësive që ndodhin nëpër miniera, vijnë si pasojë e pakujdesit në punë, për shkak të mosrespektimit të mjaftueshëm të sigurisë dhe disiplinës. Ndaj, ne si menaxherë, duhet të punojmë më shumë për përforcimin e kësaj disipline, të bëjmë që minatorët të vijnë në punë të lumtur, dhe të jenë të sigurt për punën e tyre në minierë", deklaroi Nikolajço Nikolov- Shoqata e Minatorëve.
Shifrat për sektorin minerar në Maqedoni janë në rritje. Vetëm në muajt e fundit, ministria e Ekonomisë miratoi 120 leje për studim dhe gërmim.
"Është bërë një lëvizje pozitive në sektorin e minierave . Këtë e tregojnë edhe të dhënat nga enti statistikor ku shihet qartë se në periudhën e njëjtë të vitit 2013 po qe se krahasohet me vitin 2012 ne kemi rritje prej diku 7% të prodhimtarisë industriale në sektorin e minierave flas ndërsa ajo që është për mua edhe më e rëndësishme numri i të punësuarve në këtë sektor i cili është rritur diku 8,4% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar do ët thotë në një sektor ku punojnë diku rreth 10 mijë të punësuar në mbi 120 kompani", tha Valon Saraçini, ministër i ekonomisë.
Me rastin e Ditës së Minatorëve , ministri i Ekonomisë ndau çmime për minatorët më të mirë në vend, ndërsa shpërbleu me mirënjohje gjithë sektorin minerar. Goran Temenugov