TIRANE- Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ndodhi mëngjesin e sotëm (e martë 27 gusht 2013), kur një vajzë 27 vjeçe e quajtur Vilma Dule është sulmuar me acid, i cili i ka shkaktuar dhe djegie të rënda.
Ngjarja ndodhi sot në mëngjes përballe Fakultetit të Inxherisë së Ndërtimit, ngjitur me atë që njihet si pallati i Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Rreth orës 08:00 27 vjeçarja e identifikuar si Vilma Dule ka qenë duke shkuar në punë nën shoqërinë e kushërirës së saj (vajza e xhaxhait). Ajo punonte si menaxhere e burimeve njerëzore në kompaninë "Tregi Marketing". Kjo kompani operonte dhe në fushën e Call-Center në Tiranë. Kushërira e saj, e cila ka qenë me Vilmën në momentin e sulmit i ka thënë gazetarit të A1 Report, Granit Sokolaj se sulmi me acid ka ndodhur poshtë pallatit ku banote Vilma, dhe ku agresori e kishin pritur derisa të dilte. Kushërira e saj e parë, e cila në atë moment gjendej me të, si dhe disa fqinj, i kanë ardhur në ndihmë, duke u munduar që ta freskojnë me ujë, apo t'i pastrojnë me unë plagët e shkaktuara nga acidi.