RDK-ja akuzon Bejtën për largime nga puna

2015-08-21 17

Gjashtë punonjës të administratës së pushtetit lokal në Gostivar, akuzojnë kreun e komunës, Nevzat Bejta për hakmarrje politike që ka rezultuar me largimin e tyre nga puna. Një nga të pushuarit është edhe Shpend Kaprolli, ish shefi i kabinetit të kryetarit të mëparshëm të komunës Rufi Osmani. Ai në një konferencë për mediat tha se është larguar nga puna vetëm për shkak të bindjeve të tija partiake.

"Nuk bëhet fjalë për një vendim ad`hok por për një kampanjë e cila rrjedh nga ana e kreut të komunës së Gostivarit. Dua të ju njoftoj se nëpunësit shtetërorë dy herë brenda vitit notohen, dhe secili që nuk i takon botëkuptimit të tij politik, pra që nuk mendojnë si ata politikisht, notohen me nota më të dobëta", deklaroi Shpend Kaprolli, drejtues sektori në komunën e Gostivarit.

Nga komuna e Gostivarit, thonë se personat në fjalë janë pushuar pasi nuk janë paraqitur në vendet e tyre të punës më shumë se 10 ditë që paraqet shkelje të ligjit për marrëdhënie të punës andaj edhe janë larguar nga puna.

"Ndërprerja e marrëdhënieve të punës për të punësuarit në fjalë erdhi si rezultat i mos paraqitje së tyre në punë, në bazë të evidencës komunale për personat në fjalë rezulton se të njëjtët më tepër se dhjetë ditë nuk janë paraqitur në punë, dhe sipas ligjit për punë, punëtori i cili nuk paraqitet në punë tre ditë pa arsye të njëjtit i ndërpritet marrëdhënia e punës", tha Bashkim Hasani, Komunën e Gostivarit.

Ndërkohë, gjashtë personat e larguar nga puna, i kanë bërë thirrje jo vetëm faktorit të brendshëm por edhe atij ndërkombëtar që të shqyrtojnë këtë rast dhe njëkohësisht të bëjnë presion me kreun e komunës për dhënien fund të revanshizmit politik në komunën e Gostivarit.

Bashkim Sulejmani

Free Traffic Exchange