TIRANE- Sikur të mos mjaftonin temperaturat e larta të ditëve të gushtit dhe herë herë edhe mungesa e ujit të pijshëm, banorëve të rrugës "Prokop Mima", pranë kompleksit "Dinamo" iu është shtuar edhe një tjetër problem.
Prej afro një jave, ujërat e zeza nuk qarkullojmë më në tubacionet e tyre, por kanë dalë hapur mbi asfalt.
Era e keqe që shkaktojnë ato, ka sjellë jo pak shqetësime për banorët e zonës që jetojnë në zonën mes kompleksit Dinamo dhe Komunës së Parisit, lagje kjo e mbipopulluar.
Veç erës, si pasojë e temperaturave të larta, banorët, por kryesisht fëmijët, rrezikohen edhe nga epidemitë.
Megjithëse situata është e tillë prej një jave dhe ujërat e zeza gëlojnë mbi rrugën kryesore ku kalojnë qindra makina e njerëz, asnjë masë nuk është marrë nga bashkia e kryeqytetit, e cila ka për detyrë të ndërhyjë për të rregulluar këtë problem mjaft shqetësues për banorët e zonës.