Ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi ka avancuar në gradën e majorit, eprorin e ARM-së Sheval Hetemi, ish komandant Valonin e UÇK-së. Vendimi për avancimin e tij u morë pasi këtë nuk e kishte bërë shefi i shtabit të përgjithshëm të armatës, Goranço Kotevski edhe pse emri i Hetemit ndodhej në listën e aprovuar nga Ministri Xhaferi. Kotevski kishte hezituar nënshkrimin e vendimit për shkak të presioneve në mediat maqedonase ndërsa këtë e pohon edhe Ministri i Mbrojtjes i cili e ka marr nën kompetencë të tij rastin.
"Ju vërtetoj që Sheval Etemi është i avancuar që me datë 18 gusht në gradën e majorit dhe për faktin që këtë punë nuk e ka bërë shtatmadhoria dhe eprorët kompetentë për këtë punë. Sipas ligjit për shërbimin në armatë mua si ministër më ngelet që në periudhën vijuese të bëj transfer të kapitenit Sheval Etemi nga Armata e Republikës së Maqedonisë në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, me çka krijohet dhe mundësia ligjore, procedurale që ajo kompetencë të bartet nga shtatmadhoria në Ministri të mbrojtjes", tha Talat Xhaferi, ministër i mbrojtjes.
Nga ana tjetër shefi i shtabit të përgjithshëm të ARM-ës, Kotevski me rastin e 18 gushtit ditës së ARM-së ka lexuar emrat e 25 eprorëve të shtatmadhorisë të avancuar në gradën e kolonelit, nënkolonelit dhe majorit. Në mesin e tyre ishte vetëm emri i Blerim Volinës i cili u avancua në gradën major. Me rastin e ditës së Armatës do të këtë gjithsej 300 avancime nëpër kazermat e ndryshme të vendit, 50 prej të cilëve do të jenë shqiptarë. Në fjalimin e mbajtur, Kotevski bëri thirrje që të ruhet imazhi i ARM-së dhe të mos rrënohet ajo që është ngritur me vite.
"Imperativët, obligimet dhe përgjegjësitë që dalin nga procesioni i ushtarit, i ndajnë njëjtë të gjithë pjesëtarët e ARM-së, pa marrë parasysh gradën, detyrën, përkatësinë etnike fetare apo gjinore. Andaj askush nuk ka të drejtë që të dëmtojë të gjithë atë që është bërë dhe krijuar me mund me vite të tëra. Në veçanti nuk ka të drejtë të shkel mbi dinjitetin dhe imazhin e Armatës", deklaroi Goranço Kotevski, gjenerali i shtatmadhorisë.
Me rastin e 18 gushtit, ditës së Armatës së Maqedonisë ministri i mbrojtjes Talat Xhaferi, shefi i shtatmadhorisë Goranço Kotevski dhe familjet e ushtarëve të vrarë, u përkulën para pllakës përkujtimore të ish ushtarëve të Maqedonisë. Ferikan Iljazi