MPB: Padi penale për sulmuesit e Jusuf Islamit

2015-08-21 2

Policia është duke përgatitur padi penale për 7 sulmuesit e adoleshentit Jusuf Islami në Aerodrom të Shkupit para disa javësh. Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, pas dokumentimit të plotë të rastit MPB-ja do të kërkojë nga prokuroria ngritjen e padisë penale ndaj 7 sulmuesve, në mesin e të cilëve janë edhe 6 të mitur. Policia, e cila kohë më parë njoftoi se ka identifikuar autorët dhe ka hetuar rastin, nuk shpjegon se pse i duhet aq shumë kohë për dorëzimin e rastit në prokurori. Edhe pas 3 javësh rrahja brutale e Jusuf Islamit mbetet pa ndonjë epilog konkret, por vetëm me pohimet e policisë për ngritjen e padisë penale. Ndërkohë nga prokuroria konfirmojnë se po presin lëndën nga policia dhe se deri tani nuk kanë marrë asnjë material. Jusuf Islami ishte viktimë e një rrahjeje brutale në Aerodrom të Shkupit muajin e kaluar. Ai përfundoi në spital me nofullën e thyer dhe lëndime të rënda trupore. Rastet e tilla të dhunës trajtohen si vepra penale "shkaktim i lëndimeve të rënda trupore", që sipas Kodit Penal dhe dënohen me burg nga 6 muaj deri 5 vjet. Nëse lëndimet shkaktojnë probleme apo shenja të përjetshme, siç mund të ndodh tek Jusuf Islami, atëherë vepra e njëjtë dënohet me burg nga 1 deri 10 vjet. Ndërkohë, pas operimit të nofullës Jusuf Islami është lëshuar për mjekim shtëpiak dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange