Tetovë, riorganizim i NPK "Ujësjellësi"

2015-08-21 7

Komuna e Tetovës ka ndërmarrë iniciativë për riorganizimin e Ndërmarrjes Publike Komunale në këtë qytet, gjegjësisht ndarjen e saj në disa drejtori. Ndarja e Ndërmarrjes Publike njëkohësisht është edhe marrëveshje për koalicionim në Tetovë mes BDI-së dhe VMRO DPMNE-së. Në NPK-në e Tetovës janë të regjistruar 287 punëtorë. Drejtori i Ndërmarrjes Xhelal Ceka thotë se është vështirë të menaxhosh një numër të madh të punëtorëve të ndarë në disa sektorë.

"Është vështirë një drejtor të menaxhojë me 287 punëtor të ndarë në shumë sektorë, prandaj ndarja do ishte shumë më e mirë dhe do ngritej niveli i shërbimeve. Është shumë mirë të ndahet sepse qytetet tjera një hap të tillë e kanë bërë me kohë, është vetëm Tetova që menaxhon ende në këtë formë", tha Xhelal Ceka, drejtor i NPK "Tetova".

Një ndër arsyet e ndarjes së NPK-së është edhe fakti që sektori i ujësjellësit ka marrë kredi nga banka gjermane KFV, për orëmatësit e rinj dhe sipas marrëveshjes me Bankën, kredinë duhet ta paguajë Ujësjellësi dhe jo sektorë tjerë.

"Është po ashtu një ndër kriteret kryesore të KFV bankës Gjermane që të ndahet ujë sjellësi nga higjiena komunale sepse në asnjë mënyrë ata nuk duan që huajat e dhëna për orëmatësit të shfrytëzohen edhe nga tjerët por kryekëput nga reparti i ujësjellësit, dhe kjo besoj që është një hap i mirë", u shpreh Xhelal Ceka, drejtor i NPK "Tetova".

Në kuadër të Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë për momentin funksionojnë shumë sektorë, ai i Ujësjellësit, Higjienës Komunale, Parqet dhe Gjelbërimi, sektori i Tregut si dhe ai i varrezave ortodokse. Bashkim Sulejmani