TIRANË -- Disa furgonë janë bërë shkaku i sherrit masiv mes dy grupeve, për konkurencë. Konflikti ishte aq i madh, saqë një patrullë policie nuk ka mundur ta shuajë, pa iu drejtuar armët të rinjve që po ziheshin, siç e shikoni edhe në këtë fotografi. Madje, uniformat blu janë detyruar që qëllojnë edhe në ajër, ndërsa një polic është goditur nga palët në konflikt.
Ngjarja ndodhi pasditen e të premtes, rreth orës 18.00, pak metër mbi rreth-rrotullimin e Kamzës, pikërisht aty ku nisen furgonët për në fshatrat Çerkezë dhe Kasalle. Burime zyrtare nga komisariati numër 5, treguan për A1 Report, se shkak për sherrin është bërë konkurenca e furgonëve të pasagjerëve. Një grup personash që kanë licencën e transportit të udhëtarëve në këtë zonë, të përgatitur për sherr, madje edhe të armatosur, kanë shkuar në stacion, ku kanë gjetur disa furgonë të tjerë pa licencë. Menjëherë u janë sulur shoferëve e fatorinove që gjendeshin aty, me drunj, leva e gurë, duke shkaktuar një konflikt masiv.