Çështja e emrit do të jetë në qendër të takimit të sotëm mes kryeministrit grek Antonis Samaras dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Në takim pritet të marrë pjesë edhe ndërmjetësi për çështjen e emrit Metju Nimic. Gazeta greke "Kathimerini" sot shkruan se ndërmjetësi Metju Nimic para disa muajsh propozoi emrin "Republika Veriore e Maqedonisë", por që është e papranueshme për Athinën zyrtare pasi përcaktimi gjeografik ka të bëjë me rregullimin shtetëror dhe jo emrin e shtetit. Sipas gazetës greke Nimic tani po përgatitet për një raund të ri bisedimesh me të dyja palët. Samaras me Ban ki Mun do të bisedojë edhe rreth gjendjes në rajonin e Ballkanit. Ndërkaq akoma mbetet e paqartë nëse çështja e emrit ishte ndër temat që u bisedua në takimin e një ditë më parë të kryeministrit grek me Presidentin Obama. Një gjë të tillë nuk e konfirmojnë as mediat në Shkup dhe as Athinë. Megjithatë në konferencën për media menjëherë pas takimit, Presidenti amerikan tha se pret nga Greqia që të luaj rol të rëndësishëm për stabilizimin e rajonit të Ballkanit si dhe bëri thirrje për zgjidhjen e çështjeve rajonale.
"Patëm mundësi të diskutojmë rreth situatës së përgjithshme në Mesdhe si dhe në Ballkan. Ky rajon është përplot më sfida dhe Greqia mund të luajë një rol të rëndësishëm stabilizues, si një aleat, në çështjet e Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut, por edhe në Ballkan" ishin fjalët e Barak Obamas, presindetit të SHBA-ve.
Nga ana tjetër kryeministri grek siguroi bashkëbiseduesin e tij se Greqia është duke bërë ç'mos për të luajtur një rol stabilizues në rajon, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
"Po përpiqemi të bëjmë çmos për të stabilizuar situatën e paqëndrueshme në të cilën jetojmë. Rajoni ka shumë probleme. Ne besojmë në fuqinë e të drejtës ndërkombëtare për t'i zgjidhur ato" tha Antonis Samaras, kryeministri i Greqisë.
Megjithëse asnjë fjalë nuk u përmend rreth çështjes së emrit, disa media greke spekulojnë se problemi i emrit është diskutuar në takimin e Samarasit me sekretarin amerikan të shtetit Xhon Keri, dhe se në këto takime nuk është ushtruar presion ndaj Athinës zyrtare madje se problemi për ngecjen e bisedimeve nuk duhet kërkuar në Athinë. Autoritetet amerikane siguruan Samarasin se do të mbështesin Greqinë për të vazhduar konsolidimin fiskal dhe reformat strukturore për rigjallërimin ekonomik të shtetit. Semra Jakupi