Berisha firmos 2600 ton plehra në vit nga Italia dhe Greqia

2015-08-21 3

TIRANË - Kryeministri në ikje, Sali Berisha në ditët e tij të fundit të qeverisjes ka firmosur dy vendime me përmbajtje nga më të kundërshtuarat gjatë qeverisjes së tij; atë të importit të mbetjeve.

Pikërisht sot Berisha në vendimet e qeverisë ka miratuar dhe autorizuar dy firma "për importin e mbetjeve për qëllim riciklimi"; shoqërinë "V.A.L.E. Recycling" për importin e 2000 ton mbetjeve në vit nga Italia në rrugë detare dhe tokësore, si dhe "Plastica Albania"-n për importin e 600 tonë mbetjeve në vit me qëllim riciklimi nga Greqia.

"V.A.L.E. Recycling" është autorizuar për mbetje dhe kthime të gizës, çeliqeve, aluminit,bakrit, zinkut, plumbit, por edhe qelqit dhe mbetjeve dhe kthimeve plastike të etilenit, stirenit, vinil-kloridit apo letër dhe karton i rikuperueshëm, tallash dhe kthime të drurit, si dhe veshje të përdorura.

Shoqëria "Plastika Albania" sh.p.k. është autorizuar për importin e mbetjeve të polietilenit në rrugë tokësore dhe detare nga Greqia.

Këtë vendim Berisha e ka mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 22, të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, "Për mbrojtjen e mjedisit", të ndryshuar dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve", me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave.

Këto vendime vijnë në një kohë kur Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) nismoi një referendum kombëtar, që pritet të mbahet në 23 dhjetor 2013 - i pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese pas mbledhjes së 64 mijë firmave nga qytetarët - për t'i thënë "jo" ligjit të importit të plehrave, si dhe kryeministri në pritje për të marrë detyrën, Edi Rama ka premtuar gjatë fushatës së tij elektorale se në 100 ditët e para do ta anulojë ligjin për importin e mbetjeve. Një premtim, që ai e theksoi së tepërmi në një takim në Elbasan, teksa analizoi problemet e ndotjes së atij qyteti dhe të gjithë vendit.