Georgievski pyet Gruevskin për angazhimet dominuese të BDI-së për emrin

2015-08-21 0

Partia e ish kryeministrit Lupço Goergievski, VRMO-Popullore përmes një komunikate drejtuar Qeverisë dhe kryeministrit Greuvskit, kërkon sqarim rreth angazhimit dominues të BDI-së në zgjidhjen e çështjes së emrit. Nga partia e Georgievskit madje kritikojnë Qeverinë se në pamundësi për t'i zgjidhur çështjet e brendshme kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët. Duke përshëndetur nga njëra anë nismat e kreut të BDI-së Ahmetit, për të zgjidhur çështjen e emrit dhe nxitjen e integrimeve euroatlantike, Georgievski nga ana tjetër shpreh shqetësimin për rrezikun që mund të rezultojë nga marrëdhëniet e brishta ndëretnike, e që theksohen edhe në letrat e Ahmetit drejtuar ndërkombëtarëve. Nga kjo parti gjithashtu shprehen të shqetësuar nga formulimi se bllokimi i integrimeve euro-atlnatike të Maqedonisë mund të kërcënojnë stabilitetin e vendit, por edhe të Ballkanit Perëndimor.

"VMRO Popullore u bën thirrje të gjithë faktorëve politik relevant që të bëjnë përpjekje maksimale për integrimin e shpejtë të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Në këtë mënyrë do të parandaloheshin dhe do të shmangeshin parashikimet ogurzeza si dhe kërcënimet për destabilizime të mundshme", theksohet në komunikatën e VMRO Popullores.

Nga Qeveria heshtin rreth reagimit të VMRO Popullores. Nga ana tjetër nga BDI-ja thanë se mirëpresin çdo përpjekje për përfshirje të të gjithë shoqërisë drejt gjetjes së kompromisit me fqinjin jugor, gjë që do të mundësonte zhbllokimin e proceseve integruese të Maqedonisë.

"Të gjitha partitë politike, mediat, shoqëria civile dhe bota akademike që kanë prioritet integrimin e vendit në strukturat Euro-atlantike, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duhet ta përkrahin hapjen e debatit konstruktiv në shoqërinë tonë dhe pa paragjykime t'i bashkëngjiten procesit për arritje të zgjidhjes së menjëhershme të këtij kontesti që po mban peng ardhmërinë tonë të përbashkët", thuhet në deklaratën me shkrim të BDI-së".

Në kohën kur Athina Zyrtare hesht edhe rreth nismës së fundit të kryeministrit Gruevskit për ngritjen e nivelit të bisedimeve, e gjithë vëmendja është kthyer drejt takimit të nesërm Obama-Samaras. Mediat greke por edhe opinioni vendas presin që presidenti amerikan të ushtrojë presion për angazhimin më të madh të Greqisë në zgjidhjen e çështjes së emrit. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange