Pas vrasjes dhe vetëvrasjes, një tjetër viktimë në familjen Jazxhi

2015-08-21 8

KORÇE - Tragjedia për familjen Jazxhiu merr përmasa më të mëdha, dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku burri vrau gruan dhe më pas edhe veten. Mëngjesin e sotëm u gjet e vdekur në banesën e saj edhe kushërira e Edmir Jazxhiut nga Korça, disa orë pasi ajo ishte kthyer nga ceremonia e varrimit në kryeqytet.

Brunilda Besolli, 35 vjeçe nga fshati Sovjan i Korçës, nënë e një vajze të mitur, është gjetur e vdekur në gjumë. E vdekura u zbulua nga familjarët e saj dhe sipas tyre vdekja ka ndodhur ndërsa ishte duke fjetur.

Vjehrri i saj tregoi për mediat se ajo u trondit tej mase kur mësoi për ngjarjen e 48 orëve më parë, pasi sipas tij, ajo ishte shumë e lidhur me kushuririn e saj. I vjehrri tregon se Brunilda nuk vuante nga depresioni dhe përjashton pistën e vetëvrasjes. Sipas tij, vdekja e saj mund të jetë natyrale. Trupi i pajetë i saj u dërgua në morgun e qytetit dhe pas ekspetizës mjeko-ligjore rezulton se e reja ka humbur jetën si pasojë e një tromboze në kokë, e ndikuar nga gjendja e rënduar emocionale.

Çifti Jazxhi u vra në banesë dy ditë më parë për shkak të konflikteve të brendshme. Edmir Jazxhi vrau të shoqen, Dallandyshen dhe më pas edhe veten me të njëjtën armë. Ata kishin dy fëmijë.