Samaras në SHBA, mediat: Obama presion për emrin

2015-08-21 0

Kryeministri grek Antonis Samaras mbërriti sot në SHBA në kuadër të vizitës së tij zyrtare me autoritetet e Uashingtonit. Sipas agjendës, Samaras të enjten do të takojë Presidentin Barak Obama, ndërsa në fokus të takimit do të jenë çështjet ekonomike dhe financiare. Megjithatë theks të veçantë pritet t'u vihet edhe çështjeve të politikës së jashtme , përfshi çështjen e emrit të Maqedonisë, marrëdhëniet greko-turke dhe çështjen e Qipros. Gazeta pro-qeveritare 'Kathimerini' në shkrimin rreth vizitës së Samarasit në Uashington theksonte se "Uashingtoni është i gatshëm të aktivizohet rreth zgjidhjes së problemit të Qipros dhe çështjes së emrit me Maqedoninë". Nga ana tjetër gazeta 'Paron' shkruante se Obama do të ushtrojë presion të madh ndaj Samarasit. Edhe autoritetet e Shkupit presin që Uashingtoni zyrtar të bind kryeministrin grek për një angazhim më të madh rreth çështjes së emrit. Para se të takojë presidentin amerikan, kryeministri grek do të takojë sekretarin e Jashtëm John Kerry. Samaras do të ketë kontakte me krerët e grupeve të mëdha amerikano-greke në fushën e ekonomisë. Të premten, ai do të ketë takime me kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon, me përfaqësues të diasporës greke dhe me kreun e këshillit greko-amerikan. Samaras gjithashtu do të vizitojë Zonën "Zero", vendi e ish kullave binjake dhe do të shohë ndërtimin e kishës së Shën Nikollës. Semra Jakupi