Kërkoi mbrojtje nga gjykata, i shoqi e kërcënoi se do ta vriste

2015-08-21 16

TIRANE- Një krim i paralajmëruar ka tronditur kryeqytetin, ndërsa policia e komisariatit numër dy nuk ka ndërhyrë më parë edhe pse viktima i është drejtuar Gjykatës për urdhër mbrojtje në datën 5 korrik të këtij viti, dhe është tërhequr nga frika e bashkëshortit. Edmir Jazxhi është autori i ngjarjes ku me një pistoletë pa leje TT, ka qëlluar 3 herë mbi gruan e tij Dallëndyshe e më pas veten duke lënë jetim dy fëmijët, 16-22 vjeç.

Në datën 17 korrik, Dallëndryshe Jazxhi duhet të paraqitej në gjykatë, por për shkak të dhunës dhe presionit të ushtruar nga bashkëshorti, ajo nuk është paraqitur për të marrë urdhrin e mbrojtjes.

Burime për Tv "A1 Report" bëjnë me dije se shkak i mosparaqitjes së Dallëndyshes në Gjykatë ka qenë presioni i bashkëshortit, pasi ishte njoftuar për gjykim dhe kish kërcënuar "nëse ti shkon, do të vras!".

Ndërsa, sot, pas një sherri në familje, Edmir Jaznxhi ka qëlluar sot plot tre herë me pistoletë të shoqen e më pas ka vrarë veten.

Ngjarja është shënuar në rrugën "Irfan Tomini", në zonën e njohur si blloku i banesave "Vasil Shanto në kryeqytet, ku në mesditë në banesën private të çiftit, 54-vjeçari Admir Jaznxhi ka shkrepur armën.

Policia është njoftuar nga banorët e lagjes, ndërsa ka qenë e kotë ndërhyrja e forcave të komisariatit numër 2 pasi në momentin e mbërritjes së tyre çifti i bashkëshortëve kish ndërruar jetë.

Në familjen Jazexhi do të mbeten tashmë jetimë dy fëmijët e çiftit, djali 16 dhe vajza 22-vjeçare, të cilët sipas policisë në momentin e krimit nuk ndodheshin në banesë.