Familja Fetahu nga Balindolli i Gostivarit, më në fund këtë Bajram është bërë me shtëpi të re. Deri më tani, ajo jetonte në një dhomë të vetme, tek shtëpia e xhaxhait të tyre thuajse e rrënuar. Me lot në sy, familjarët u akomoduan në shtëpinë e tyre të re e cila u kompletua falë donacionit nga kreu i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta si dhe angazhimi i Shoqatës "Mëshira".
"Jam shumë e lumtur... falënderoj "Mëshirën", Alsatin, dhe gjithë popullin dhe ata njerëz që kanë kujtuar për këtë fëmijë, shumë jam e lumtur që më në fund ata gëzohen. Krejt i kam tash jam e kënaqur shumë. Kush ka menduar për këtë fëmijë, Zoti i dhashë më të mirat dhe më të bukurat", tha Nifka Fetahu, kryefamiljare.
Kësaj shtëpie më së shumti i është gëzuar Shadia 13 vjeçare, e cila ka problem me shikimin. Tepër e lumtur, ajo na rrëfeu dhomën e saj, si dhe kompjnterin që e kishte ëndërruar aq shumë.
"Unë e kam zgjedh dhomën e dytë, unë e kam aty krevatin, i falënderoj krejt që më kanë ndihmuar. Me kompjuterin luaj më shumë lëshoj muzika. E kam rregulluar tash edhe me CD-ja të më punojë", u shpreh Shadie Fetahu, kryefamiljare.
Drejtuesi i "Mëshirës" Haki Lushtaku, ka falënderuar sot komunën e Gostivarit dhe të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij projekti.
"Falënderoj të gjithë që na kanë ndihmuar për ta kryer këtë shtëpi dhe për ta gëzua këtë familje, sidomos kreun e Komunës së Gostivarit sepse ishte iniciativa e tij parë ajo e tij, që na ndihmoi mos të ngecim me punë", deklaroi Haki Lushtaku, menaxher i SH.K.H. "Mëshira".
Familja Fetahu nga Balindolli, prej vitesh jetonte në një dhomë të vetme që ua kishte liruar xhaxhai i tyre në shtëpinë e vetë. Por kushtet e rënda ekonomike, si dhe hendikapi i vajzës 13 vjeçare nuk e lejonin familjen të ngrinte krye, për të pasur një shtëpi të re dhe kushte më të mira jetese. Bashkim Sulejmani