Me ndihmën e forcave policore, shërbimi i parqeve dhe gjelbërimit ka prerë gjatë natës, pemët në parkun përballë hotelit "Bristol" në Qendër të Shkupit. Policia ka shpërndarë protestuesit që prej 5 ditësh tashmë, kishin ngritur tenda në këtë park, në ruajtje të tij nga shkatërrimi. Qytetarët shpjegojnë se prerja e parkut është siguruar nga një numër i madh forcash policore, duke filluar që nga njësitet Alfa e deri tek forcat speciale për ndërhyrje të shpejtë.
"Rreth orës 3 të mëngjesit ne qytetarët e Qendrës dhe Shkupit protestonim qetë kundër prerjes dhe shkatërrimit të këtij parku të mrekullueshëm. Përnjëherë, erdh një numër i madh policësh. Rreth 30 pjesëtarë të njësisë speciale "Alfa", pjesëtarë të njësisë për intervenim të shpejtë dhe policë të tjerë dhe na dëbuan në mënyrë brutale dhe të paskrupullt. Pastaj erdhën të punësuarit në "Parqe dhe gjelbërime" dhe filluan që të presin drunjtë në mënyrë brutale", tha një protestues.
Protestuesit shpjegojnë se ndaj tyre është përdorur edhe dhunë fizike, dhe u janë marrë celularë e aparate fotografike me qëllim që ngjarja të mos filmohet.
"Kishte përdorim të forcës, më saktë, ja, mua më shtynë. Provuam të shpëtojmë njërin nga drunjtë, pas çka na dëbuan në mënyrë brutale. Mbetëm këtu duke protestuar tashmë 5 ditë, shpresoj të vazhdojmë me protestat", deklaroi një protestues.
Ka reaguar edhe Komuna Qendër, në territorin e së cilës gjendet parku i kontestuar. Kryetari i kësaj komune Andrej Zhernovski ka ftuar kryeministrin që të dalë në vendin e ngjarjes.
"Kryetari i Komunës Qendër u bën thirrje këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, sot të sqarojnë nëse janë me qytetarët apo jo, dhe nëse i respektojnë dëshirat e tyre, apo sërish do të radhiten pas dëshirës së kryeministrit. Ai i bën thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski të dalë sot në vendin e krimit që pastaj të mos thotë se nuk e ka parë ngjarjen, dhe se i vjen keq. Komuna Qendër dhe kryetari i saj e dënojnë ashpër këtë akt vandal dhe qyqar"-thuhet në komunikatë.
Në lokacionin e parkut në Qendër është parashikuar ndërtimi i objektit administrativ për Këshillin Radiodifuziv, pjesë e projektit 'Shkupi 2014'. Benjamin Arifi