Prokuroria e Lezhës, ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatë për Valentin Miri, ish-drejtorin e burgut të Shën Kollit në Lezhë. Miri akuzohet se ka kryer tre vepra penale, atë të "shpërdorimit të detyrës", "korrupsionit" dhe "armëmbajtjes pa leje".
Këto akuza ish-kreu i burgut i ka konsumuar duke bërë pazare në telefon me të dënuarit për të dhënë leje shpërblyese ose për t'i transferuar ata nga një burg në tjetrin. Miri ka lejuar që personat e dënuar të mbanin telefona në dhomë që të kishin mundësi të komunikonin me të. Gjithashtu ai akuzohet se i ka dhënë leje shpërblyese të dënuarve për vrasje kundrejt shumave të ndryshme parash.