Italia ndodhet para një krize të re qeveritare pasi gjykata ka vërtetuar vendimin për dënimin e ish-kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. Mediat italiane njoftojnë se deputetët e partisë së Berluskonit, 'Populli i Lirisë", kanë dorëzuar dorëheqjet tek kryetarët e grupeve të parlamentare në të dyja dhomat e parlamentit italian. Ministrat e partisë së Berluskonit gjithashtu janë të gatshëm për të dhënë dorëheqjen dhe për të shkuar me to tek presidenti, Xhorxhio Napolitano në rast se nuk gjendet një zgjidhje për rastin. "Ne jemi të gatshëm të dorëhiqemi për të mbrojtur idealet tona", ka thënë ministri i Brendshëm, Angelino Alfano. Me këtë veprim rrezikohet koalicioni qeveritar i kryeministrit Enriko Leta edhe pse shefi i ekzekutivit kishte shpresuar se "interesi i përgjithshëm" do të ngrihet mbi interesin personal. Ndryshe, Gjykata e Lartë ka konfirmuar të enjten në mbrëmje dënimin për Berluskonit me 12 muaj burg, për evazion fiskal në lidhje me koncernin e madh mediatik 'Mediaset' dhe keqpërdorime tjera financiare Në instancën e parë Berluskoni ishte dënuar me katër vjet burg dhe pesë vjet mos-ushtrim të profesionit si politikan, por për shkak të një rregulloreje amnistie, dënimi u reduktua në 12 muaj. Por, Berluskoni për shkak të moshës 76 vjeçare nuk ka për të qëndruar në burg. Nëse ish-kryeministri do t'i kalojë të 12 muajt në arrest shtëpiak apo do të kryejë punë sociale, këtë Gjykata e Lartë e la të hapur. Fillimisht duhet hequr imuniteti i tij parlamentar. Ferikan Iljazi