Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar mundësinë e sulmeve nga Al Kaeda andaj ka rekomanduar kujdes gjatë udhëtimeve veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në shtetet e Afrikës së Veriut. Alarmi vjen menjëherë pasi Uashingtoni vendosi mbylljen e dhjetëra ambasadave dhe konsullata duke filluar që nga dita e nesërme. Alarmi do të jetë në fuqi deri më 31 gusht dhe u rekomandon të gjithë qytetarëve amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit të jenë të kujdesshëm. "Të dhënat më të fundit sugjerojnë se Al Kaeda dhe organizatat e lidhura me të vazhdojnë të planifikojnë sulme terroriste si në rajon ashtu edhe jashtë tij, e që mund të fokusohen në ndërmarrjen e këtyre sulmeve në periudhën që nis tani e deri në fund të gushtit'', thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Nju Jork Times shkruan se informacionet e mbledhura e të analizuara gjatë javës nga CIA, janë diskutuar në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, të cilat që ranë dakord për domethënien e tyre të rrezikut. Ndërkaq, edhe ambasada britanike në Jemen do të jetë e mbyllur të dielën dhe të hënën. Analistët thonë se alarmi bazohet në të dhëna të besueshme, por departamenti i shtetit tashmë po punon edhe me një kujdes më të madh, pas ngjarjeve të shtatorit të kaluar kur sulmi mbi konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë i mori jetën katër qytetarëve, përfshi edhe ambadorin Stivens. Benjamin Arifi