Propozimi i VMRO DPMNE-së për rregullimin e çështjes së martesës me ndërhyrje në kushtetutë mund të hap një sërë propozimesh të tjera nga subjektet e tjera politike për riformatim të dispozitave kushtetuese. Sipas ekspertit të së drejtës kushtetuese, pamundësia e VMRO DPMNE-së për të grumbulluar 2/3 e votave të deputetëve, të nevojshme për ndryshimin e kushtetutës, mund të çojë atë drejtë ndonjë kompromisi për ndryshime të tjera kushtetuese.
"Me qenë se ka të bëjë ky propozim vetëm me një çështje konkrete, ky propozim nuk do të kalojë në Parlament, për shkak se së bashku me këtë propozim do të paraqiten përsëri edhe propozimet dhe kërkesat që deri tash janë parashtruar në shumë periudha kohore për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës. Këtë e ka propozuar edhe subjekti politik shqiptar, dhe unë si ekspert kam marrë pjesë në grupet punuese për propozimin e ndryshimit të Kushtetutës, por për ato çështje nuk ka pasur disponim politik nga Qeveria", deklaroi Osman Kadriu, ekspert i së drejtës kushtetuese.
Sipas profesorit Osman Kadriu, BDI-ja duhet të shfrytëzojë momentin politik dhe në pakon e ndryshimeve dhe plotësimeve të kushtetutës të fus edhe çështjen e gjuhës, simboleve, votimit të ligjeve që kanë të bëjnë me bashkësitë nacionale, ku sipas Kadriut duhet të hyjë edhe Buxheti, me qëllim të anashkalimit të padrejtësive ndaj shqiptarëve gjatë ndarjes së buxhetit. Çështje tjetër që sipas tij duhet të rregullohet në kushtetutë është edhe ajo e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, që ka paqartësi në formën që tani është e rregulluar. Madje, Osman Kadriu vlerëson së ka ardhur koha për një riformatim të thellë të kushtetutës, ose sjelljen e një kushtetute krejtësisht të re.
"Këto kërkesa përsëri duhet të iniciohen dhe subjekti politik shqiptar ka përgjegjësi nëpërmjet qeverisë, pasi qeveria ka marrë rolin e propozuesit kushtetues, të parashikohen këto ndryshime dhe plotësime. Me plot të drejtë konstatoj se meqë kanë kaluar mbi 20 vjet që është miratuar kushtetuta e tashme e sistemit të tranzicionit është koha e fundit, meqë janë grumbulluar një numër i madh i çështjeve që nuk kanë qenë të rregulluara, të rregullohen me kushtetutë, disa që kanë qenë të rregulluara por nuk janë precize, nuk janë të qarta. Është koha që të mendohet për një kushtetutë të re", tha Osman Kadriu, ekspert i së drejtës kushtetuese.
Që nga miratimi i saj në vitin 1991, Kushtetuta e Maqedonisë ka pësuar disa ndryshime, respektivisht në të janë shtuar 32 amendamente kushtetuese që zëvendësojnë tekstin kushtetues. Ndryshime kushtetuese mund të propozohen nga Kryetari i shtetit, Qeveria, 30 deputetë apo nga qytetarët me grumbullimin e 150 mijë firmave. Benjamin Arifi