VMRO, ndryshime kushtetuese për përkufizim të bashkëshortësisë

2015-08-21 0

Grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së ka ngritur iniciativë për ndryshime kushtetuese, përmes të cilave kërkohet përkufizim i qartë i bashkëshortësisë, kurorëzimit vetëm të një buri dhe gruaje, dhe assesi ndryshe. Për këtë nismë, VMRO-ja nuk është konsultuar me partnerin e koalicionit BDI-në dhe as me partitë opozitare, ndërkohë që për ndryshimet kushtetuese nevojiten 2/3 e votave. Megjithatë Vlladimir Gjorçev, deputet i VMRO-DPMNE-së i cili zbardhi këtë nismë, shprehet optimist në mbështetjen edhe të deputetëve të tjerë.

"Sot grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka ngritur iniciativë për përkufizimin kushtetues të bashkëshortësisë si bashkësi ekskluzivisht mes një gruaje dhe një burri dhe njëkohësisht fëmijët pa prindër të mund t'i birësojnë vetëm bashkëshortët, çift mes një burri dhe gruaje, nënë dhe babë, dy prindër apo një prind i ve...Shpresojmë në mbështetjen e të gjithëve, ky është propozim përfshirës, propozim që bashkon, propozim që është pozitiv, dhe i mbështetur nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Shpresojmë se gjatë procedurës do të kemi mbështetje nga të gjitha subjektet politike". Vllatko Gjorçev, deputet i VMRO_DPMNE-së

Nga BDI-ja, pa mos saktësuar qartë nëse janë pro apo kundër nismës së partnerit të tyre të koalicionit qeveritar, theksojnë se ndryshimet kushtetuese kërkojnë jo vetëm konsensus politik, por edhe etnik.

"Çdo ndryshim kushtetues kërkon 2/3 e shumicës parlamentare, gjë që koalicioni aktual midis BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së nuk e ka në parlament, andaj çdo prekje e kushtetutës në veçanti është e rëndësishme për BDI-në, duhet të ketë një konsensus dhe pajtim etnik e politik mes partive politike që veprojnë në RM. Andaj edhe njëherë e theksoj se çdo prekje, ose çdo iniciativë për ndryshim të Kushtetutës së RM-së kërkon një konsensus etnik dhe politik. Për momentin shumica parlamentare BDI-VMRO-DPMNE nuk i ka 2/3 e deputetëve", tha Artan Grubi, BDI.

Nga LSDM-ja, në nismën e VMRO DPMNE-së shohin shpërqendrim të vëmendjes së opinionit publik, nga problemet kyçe me të cilat përballet vendi.

"VMRO DPMNE-ja prej kohësh provokon me politika diskriminimi dhe mos-tolerance, që rezultojnë me incidente. LSDM-ja vlerëson se çështjen e ndryshimit të kushtetutës, për përkufizimin e martesës, kërkon debat të gjerë dhe profesional. Kërkojmë që për propozimin, të shprehen sektori civil dhe bashkësia akademike, para se të qasemi drejtë ndryshimeve të planifikuara nga pushteti".

Sipas partisë opozitare, qytetarët e Maqedonisë presin zgjidhjen e problemeve të rënda ekonomike, qasje më përgjegjëse ndaj proceseve integruese dhe shmangien e mosrespektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, mes të cilave edhe dhunën ndaj përfaqësuesve të LGBT-së. Bedri Rexhallari