Zjarri shkrumbon shtëpinë e familjes Dalipi, fëmijët kërkojnë bukë

2015-08-21 10

Ndërsa shumë familje po përgatiten për festën e Bajramit, për të zbukuruar shtëpitë dhe tryezat e tyre plot ushqime, familja Dalipi nga Kumanova do e presë në zi të vërtetë. Shtëpia e tyre u shkrumbua mbrëmë nga flakët, deri në themel. Kryefamiljari Sevdail Dalipi thotë se tragjedia ka ardhur si shkak i instalimeve të vjetra të rrymës. Gjatë kohës që ekipi i ALSAT qëndroi pranë kësaj familjeje, Sevdaili dhe bashkëshortja e tij Xhanija, me lot në sy shikonin rrënojat që u kishte lënë zjarri, duke pyetur veten për fatin e fëmijëve të tyre që tani për tani, janë zhvendosur në një kasolle të improvizuar prej druri në oborrin e tyre.

"Kemi mbetur kështu me këto rroba që i kemi në trup, siç po na shihni. Nuk kam nga të marr, kështu do të mbetet shtëpia, nuk e di. Aty pranë e ngrita një kasolle, aty i kam vendosur fëmijët të flenë, nuk kam ku të shkojë, nuk dijë çka të them, problem shumë. Me punë nuk jam tu punue, nuk ka për momentin punë, kush më kërkon shkojë punojë, ndihmën sociale ka 1 vit që ma kanë ndalur se bashkëshortja nuk kishte letërnjoftim, por tash shyqyr prej Zotit e rregullova. Tash edhe Bajrami afër, nuk kam asgjë për fëmijët, as andej e as këndej, nuk dijë çka të bëjë? Po nëse ka ndonjë dashamirë që na ndihmon diçka, për hatër të fëmijëve, mos ti lë kështu, të paktën pak ta rregullojmë shtëpinë sa të futen fëmijët brenda", tha Sevdail Dalipi, kryefamiljar.

Nëna Xhanija thotë se është shumë vështirë kur fëmijët të kërkojnë ushqim, e nuk ke çfarë t'u japësh. Ajo thotë se tani kanë mbetur në mëshirën e Zotit pasi vetë, nuk janë të aftë financiarisht të rimëkëmben.

"Për momentin kështu kemi mbet, kështu do të qëndrojmë, nuk kemi asgjë. Mbrëmë aty tek kasollja kemi fjetur me fëmijët, nuk mund të futesh brenda në shtëpi, tym, e gjitha u shkrumbua", u shpreh Xhanije Dalipi, kryefamiljare.

Çka kërkojnë fëmijët për Bajram, a ju kanë kërkua ndonjë gjë?

"Po kërkojnë rroba, si të gjithë fëmijët, por edhe me ngrënë. Shumë vështirë është, kur nuk ke nuk mundesh me e gjet qarën askund hiç, por nuk ke çka të bësh, durimi na ka mbetur...Këta të vegjlit nuk po dinë, po kërkojnë, por ne nuk kemi", u përgjigj Xhanije Dalipi, kryefamiljare.

Vajza e vogël e kësaj familjeje e cila është vetëm 6 vjeçe, thotë se nuk ka dëshirë që të blejë rroba të reja, por që të ketë shtëpi dhe të ketë bukë në sofrën e saj, tani të vendosur pranë kasolles.

Nafije çka ke dëshirë me ble, me vesh për Bajram?
"Bukë me hëngër...po bukë", u shpreh Nafije Dalipi.

E me vesh rroba të reja, a ke dëshirë për Bajram?
'Joo...'.

Çka dëshiron me ngrënë më shumë?
'Bukë...'.
U larguam nga kjo familje me shpresë se njerëzit humanë do ta ndihmojnë këtë familje skamnore nga Kumanova, që Jasini i vogël dhe Nafija të kenë sërish një kulm mbi kokë.

Valmir Kuçi


Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje, mund të kontaktojnë në numrin e telefonit:

+389 70 432 940

Sevdail Dalipi, Kumanovë (afër stadiumit të KF Bashkimi)