Dehari raporton 100 ditshin e parë të qeverisjes

2015-08-21 0

Investimet në rregullimin e bulevardit të qytetit, për ndriçimin publik, kanalizimin nëpër disa lagje të qytetit si dhe zgjedhja e drejtuesve të shkollave qendrore dhe periferike, janë këto, disa nga projektet e realizuara në njëqind ditët e para të udhëheqësis së re të komunës së Kërçovës, e cila, siç thekson kreu i kësaj komune Fatmir Dehari, edhe në këto momente është duke realizuar projekte në 90 për qind të fshatrave për rreth.

"Brenda këtyre njëqind ditëve me sukses ne arrijmë të përmbyllim disa projekte, që mundë ti quaj kapitale, siç ishte para një javë mbyllja e aortës kryesore të qytetit, bulevardit, që kap gjatësinë një kilometër brenda në qytet, përmes kredisë nga Banka Botërore dhe kjo përmbyllet me sukses me infrastrukturë të ndryshuar nëntokësore, asfaltimi, trotuaret dhe një sistem të ri kanalizimi. Brenda kësaj periudhe i kemi mbyllur edhe meremetimet e të gjitha rrugëve gropave, përmbyllja e projekteve të nisura më herët nëpër lagje dhe fshatra", u shpreh Fatmir Dehari, kryetar i komunës së Kërçovës.

Kreu i komunës Dehari thotë se investimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen edhe përkundër faktit se komuna e Kërçovës has në vështirësi nga borxhet e trashëguara.

"Përmbaruesit çdo ditë na godasin në aspektin financiar, por megjithatë me një përkushtim dhe shpresë për të ardhmen dhe bashkëpunim të afërt e të ngushtë me qytetarët unë shpresoj që e ardhmja e këtij qyteti është me perspektivë", tha Fatmir Dehari, kryetar i komunës së Kërçovës.

Ndryshe, komuna e Kërçovës ishte ndër të parat e cila në afat të shkurtër pas marrjes së mandatit zgjodhi problemet me konsolidimin e këshillit dhe zgjedhjen e kryetarit të tij dhe drejtuesve të sektorëve komunale ndërsa ditë më parë nisi edhe dhënien e lejeve elektronike të ndërtimit. Bashkim Sulejmani