TIRANË - Patrulla "Shqiponja", si dhe forcat e komisariatit nr. 3 në kryeqytet kanë mundur të parandalojnë një tentativë grabitje, si dhe të sekuestrojnë një armë pa leje në ambientet e exchange "Grejsi" në kryeqytet.
Ngjarja është shënuar në "Rrugën e Durrësit", ku sipas uniformave blu nëpërmjet një skeme me të mitur të moshave 9-11 dhe 14 vjeç është tentuar të grabitej një shumë prej 10 mijë euro.
Për ngjarjen janë ndaluar R. Sopi, 14 vjeçe, si dhe dy vëllezërit e saj 9-11 vjeç, gjithashtu dhe dy të rritur, të cilët dyshohet se përdornin minorenët për të kryer vjedhjet.
Po sikur të mos mjaftonte tentativa për të grabitur shumën e konsiderueshme të parave në ambjentet e exchange nga kontrolli paraprak skuadra "Shqiponja" ka mundur të gjejë dhe një armë pa leje, e cila mbahej nga pronarët e kësaj pikë valutore.
Menjëherë janë njoftuar ekspertët për të ekzaminuar armën, ndërsa pritet që të nisë dhe procedimi penal "për armëmbajtje pa leje".
Pas ndalimit të të miturve, uniformat blu i kanë shoqëruar të ndaluarit në ambjentet e drejtorisë dhe po punojnë me dëshmitë e tyre, pasi dyshohet se ky grup ka kryer dhe vjedhje dhe grabitje të tjera.