Ky është Taulanti 27-vjeçar. Ai jeton në këtë dhomë me përmasa 1.5 me 2 metër çka për familjarët e tij është hapësira ku duhet të qëndrojë në kushtet e sëmundjes që përjeton që kur ka lindur. Ai nuk dëgjon, veçse shikon, nuk shijon asnjë ushqim vecse konsumon dhe më keq akoma, përbën rrezik për bashkëmoshatarët e vet apo dhe për banorët e fshatit Luftinjë në rrethin e Tepelenës.
Drama që përjetojnë prindërit dhe vëllai i tij, është mjaft e madhe dhe aq më keq akoma, e pambarimtë. Familja Sinademi jeton me 12 mijë lekë të ardhura mujore, që sigurohen nga pensioni që i është lidhur Taulantit dhe nga pensioni i parakohshëm i të zonjës së shtëpisë. I zoti i shtëpisë Avdulla Sinademi është personi, që prej 27 vitesh përkujdeset çdo ditë, orë dhe minutë për të birin e tij fatkeq.
Kjo pasi e shoqja e tij prej lindjes së Taulantit ka fituar edhe ajo një sëmundje të pashërueshme. Kalvari i vuajtjeve për këtë familje është i gjatë dhe pa mbarim. Me ato pak të holla që sigurojnë, katër pjestarët e familjes nuk shtyjnë dot muajin dhe rrjedhimisht, banorët e fshatit i ndihmojnë nga pak me ushqime. Kjo edhe nga frika, pasi në të kundërt djali i sëmurë, zbret në fshat, çan izolimin e vendosur nga prindërit dhe shndërrohet në kërcënim real për jetët e banorëve të zonës.
Mjaft herë prindërit e Taulantit kanë përdorur metoda të ndryshme rrethanore duke e lidhur me zinxhirë, për të rikthyer në izolim birin e tyre. Megjithatë, episodet, fatmirësisht, nuk janë shoqëruar me pasoja tek banorët.
Izolimi i fëmijëve të sëmurë mendorë është një dukuri që është shfaqur në disa fshatra në jug të vendit katër vjet më parë. Rasti i parë ka qenë në fshatin Matohasanaj po në Tepelenë, ku një djalë 20-vjeçar, qëndronte i lidhur me zinxhirë dhe i izoluar nga anëtarët e tjerë të familjes, në kasollen e bagëtive dhe kjo, pasi prezenca e tij në publik, përbënte rrezik.