Tarifat për studentët, një vit akademik 70 mijë lekë të reja

2015-08-21 2

TIRANE - Të gjithë të rinjtë që ndjekin një shkollë të lartë publike, duhet të bëjnë gati 'tufën' e parave për të paguar tarifat e vendosura nga shteti. Sigurisht që ato janë shumë më të ulëta se sa të privatit, por sërish janë mjaft të larta, për buxhetin e një familje me të ardhura mesatare. Të rinjtë që nisin studimet për herë të parë nëpër universitete, duhet të paguajnë më shumë se sa ata, që tashmë i kanë nisur studimet e larta. Dhe këtu flasim vetëm për sistemin 3-vjeçar, pasi tarifat e masterit janë më të larta.

Kështu, një studenti që shpallet fitues për herë të parë i duhet të paguajë 42 mijë lekë të reja vetëm për një krevat në Qytetin Studenti. Aq është taksa, që i është vendosur për fjetjen të rinjve që zgjedhin të jetojnë në Qytetin Studenti. Tarifa paguhet një herë në vit, dhe mbulon të gjithë periudhën e zgjatjes së një viti akademik. Kjo tarifë është e njëjtë për të gjithë studentët që marrin një dhomë në bujtinat e QS, pavarësisht se çfarë viti janë ata.

Po ashtu të rinjtë paguajnë çdo fillim viti akademik edhe tarifën e shkollimit, që mesatarisht shkon te 25 mijë lekë të reja në vit. Pasi ka degë që tarifa e shkollimit është 45 mijë lekë, ashtu siç ka degë që tarifa e shkollimit është vetëm 15 mijë lekë. Këto dy tarifa i paguajnë të gjithë studentëtë, pavarësisht nëse ulen për herë të parë në auditore, apo presin të diplomohen.

Ndërkohë që maturantët, që presin të shpallen fitues kanë edhe dy tarifa të tjera. 2 mijë lekë të reja duhet të paguajnë për plotësimin e formularit A2 dhe po aq duhet të paguajnë nëpër sekretaritë e fakulteteve, ku shpallen fitues, në momentin që shkojnë të regjistrohen. Pra, mesatarisht çdo student duhet të paguajë rreth 70 mijë lekë të reja për një vit akademik.