LSI pranon vendimin e Kolegjit Zgjedhor për miratimin e tabelave të rezultateve për qarkun e Kukësit, por do të hetojë rastin, se çfarë ka ndodhur me fletët e votimit pa shenja dalluese, të vërejtura nga pamjet filmike. Përfaqësuesi ligjor i LSI, Ilirjan Muho hedh dyshime për ndërhyrjen në kutitë e votimit të numëruara sot në Kolegjin Zgjedhor. Në një prononcim për mediat, Muho deklaroi se gjatë këqyrjes së materialeve filmike ekspertët konstatuan qartë fletë votimi të bardha, pa shenja dalluese, të cilat nuk ndodheshin në kutitë e votimit që u rinumëruan sot në Kolegj.
Ditën e sotme Kolegji Zgjedhor miratoi tabelat e rezultateve për 15 kutitë zgjedhore të qarkut të Kukësit. Pas gati 2 orësh nga momenti kur u tërhoq për të marrë një vendim, Kolegji vendosi miratimin e tabelave të reja për këtë qark, të rezultuara nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave të këtyre Qendrave të Votimit gjatë ditës së sotme.
Edhe pas përfundimit të procesit të rinumërimit të dy kutive të fundit të qarkut të Kukësit, rezultati nuk ka ndryshuar, duke bërë që mandatet të mos ndryshonin. Kështu aleanca e majtë ka një mandat deputeti në qarkun e Kukësit, ndërsa e djathta ka tre mandate deputeti.
Nga rinumërimi i e djathta mori 9 vota plus. Rinumërimi i 15 kutive zgjedhore për qarkun e Kukësit u realizua në ambientet e Gjykatës së Apelit.