Gazetarë dhe qytetarë protestuan sot para Gjykatës Penale në Shkup kundër vazhdimit të paraburgimit për gazetarin Tomisllav Kezharovski. Këshilli iniciues për lirimin e gazetarit Kezharovski kërkoi vendosjen në liri sa më shpejt të gazetarit, të cilit një ditë më parë, iu vazhdua masa e arrestit me 30 ditë të tjera. Protesta filloi me një minutë heshtje për vdekjen e lirisë së mediave në Maqedoni, siç u quajt nga gazetarët.
Atmosferë...
Sipas gazetarëve, rasti i Kezharovskit është shembull për përpjekjen e pushtertit për frikësim të gazetarëve.
"Ky vendim tregon se liria e shprehjes është në mëshirën e vendimeve arbitrare të Gjykatës dhe politikës. Sot erdhëm këtu që të solidarizohemi me kolegun, dhe këtyre institucioneve t'ju themi se nëse kanë për qëllim të na frikësojnë, nuk do të arrijnë. Jo sepse jemi shumë trima, por për shkak se drejtësia është në anën tonë", tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
Ndërkaq Zoran Dimitrovski, redaktori i gazetës "Nova Makedonia", ku edhe punonte Kezharovski, kërkoi nga kolegu i tij që të ndërpresë grevën e urisë në paraburgim, dhe të mos e lëndojë veten, duke qenë se asnjë protestë demokratike nuk ndikon në ndërgjegjen e pushtetit të sotëm. Dimitrovski alarmoi për gjendje të rëndë të Kezharovskit në ditën e 4 të grevës së urisë.
"Për shkak se gjendja e tij fizike dhe psikike po përkeqësohet, ai po humb kilogramë, po ndihet keq, është vazhdimisht nën mbikëqyrje mjekësore. Në emër të Këshillit Iniciator, apeloj që ai të ndërpresë grevën e urisë sepse me rëndësi është shëndeti i tij, jeta e tij dhe mirëqënia e familjes së tij", u shpreh Zoran Dimitrovski, redaktor i "Nova Makedonia".
Kundër zgjatjes së masës së paraburgimit për Kezharovskin sot reagoi edhe përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave Dunja Mijatoviq, dhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup.
"Është e papranueshme që një gazetar të jetë në qeli për shkak të informimeve të tij. Unë tashmë kam ndërhyrë për këtë rast dy herë gjatë muajit të kaluar. Sot jam veçanërisht e alarmuar, për shkak të zgjatjes së paraburgimit edhe për 30 ditë"
"Duam të theksojmë se legjislacioni i vendit obligon që masa e paraburgimit të jetë më e shkurtë që mundet dhe të gjitha institucionet kompetente për zbatimin e ligjit të veprojnë me urgjencë, me qëllim që të përshpejtohen çështjet ku të akuzuarit janë në paraburgim para gjykimit. Delegacioni Evropian është e shqetësuar për ndodhitë e mëparshme, duke përfshirë edhe vendimin e Kezharovskit për fillimin e grevës së urisë", thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Shkup.
Gjykata shtyu dje paraburgimin e Kezharovskit nën pretekstin se ai mund ta shfrytëzojë mbrojtjen në liri, për t'u arratisur gjëkundi. Kezharovski është në burg prej 60 ditësh, ndërsa katër ditët e fundit ka hyrë edhe në grevë urie. Benjamin Arifi