Fidel Ylli: Nëse më kërkon Rama, unë ministër i Sportit

2015-08-21 1

TIRANE- Fidel Ylli një nga deputët e riafirmuar të Partisë Socialiste ka pranuar i pari publikisht se është i gatshëm të lerë mandatin e tij për të qenë pjesë e kabinetit qeverisës nëse Kryeministri i zgjedhur Edi Rama do ia kërkonte. Ylli, është shprehur se nuk ka rëndesi se kush do të jetë në krye të Sportit, e rëndësishme për të është që të zbatohet programi i Partisë Socialiste për këtë fushë, e cila është lënë në harresë për 22 vjet rrjesht.

"Unë jam në dispozicion të Partisë Socialiste për për të qenë një deputet i përgjegjshëm siç kam qenë në katër vitet e mandatit që shkoi, por në rast se do t'i duhem zotit Rama, Partisë Socialiste për të qenë pjesë e kabinetit thashë unë jam në dispozicion të kësaj force politike që në këtë program të kemi mundësi me ardhjen e qeverisë në shtator të fillojmë menjëherë për ta implementuar. Për herë të parë ne kemi arritur një gjë madhore që në një vit fushatë elektorale kemi bërë politikën shqiptare që të flitet për sport, gjë që nuk është bërë në 22 vjet. Unë mendoj që sporti nuk është vetëm çështje parash, por është dhe çështje vizioni që ku jam dhe ku do të shkoj pasi ka shumë të ardhura dytësore, mënyra menaxhimit, janë të burimet njerëzore", u shpreh Ylli.

Ndërsa sa i takon interesit të gazetarëve mbi ndarjen e ministrive e konkretisht nëse Sporti do të ndahet nga Ministria e Kulturës, deputeti socialist, është shprehur se e mbështet këtë ide ndonëse e vlerëson si luks të madh. Ylli gjithashtu tha se garancia për eficencë në qeverisje do të ishte tkurrja e dikastereve, ndonëse ky fakt sipas tij do të shkakotonte pakënaqësi për një pjesë të aleatëve.

"Për mendimin tim është një luks i madh që sporti të jetë më vete, por unë mendoj që Partia Socialiste nuk e bazon zhvillimin e sportit thjesht në strukturën e saj se është i ndarë më vete apo është bashkë në një ministri. Në qoftë se ne duam që të jemi më efiçentë në qeverisje, tregon që duhen ulur shpenzimet. Që të ulen shpenzimet duhet të ketë sa më pak ministri. Që të kesh sa më pak ministri do të kesh shumë qejfmbetje, sepse ke dhe aleatë që kanë dhënë kontribut në ardhjen në pushtet dhe mendoj që ky nuk është problem jonë i deputetëve. Ky është problem i kryeministrit të ardhshëm që si e mendon riformatimin e qeverisë. Mendoj që duhet të ketë një ndryshim", tha Ylli.

Fidel Ylli, një nga zërat që ka kontribuar fortë në programin e Partisë Socialiste për Sportin, ka premtuar se në qeverisjen e re sporti do të pësojë ndryshim rrënjësor, në rritjen e punësimit, si dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë.

Free Traffic Exchange