Edhe 30 ditë të tjera paraburgim për gazetarin Tomisllav Kezharovski. Gjykata Penale refuzoi kërkesën e familjes Kezharovski për mbrojtjen e tij në liri. Arsyetimi zyrtar i Gjykatës ishte mundësia për arratisjen e të akuzuarit edhe pse familja e tij si garanci kishte ofruar patundshmëri. Ndryshe, Kezharovski për të tretën ditë vazhdon grevën e urisë në burgun e Shutkës. Edhe bashkëshortja e tij ka paralajmëruar solidarizim dhe bashkëngjitje në grevën e urisë. Shoqatat e gazetarëve nga vendi, por edhe ato ndërkombëtare kërkojnë lirimin e Kezharovskit, i cili sipas tyre mbahet në qeli pa ndonjë arsye të veçantë. Ka reaguar edhe OSBE-ja e cila në raportin e saj, rastin e Kezharovskit e ka apostrofuar si shembull të ngulfatjes e lirisë së mediave në vend. Nga ana tjetër LSDM-ja opozitare, akuzoi për trajtime çnjerëzore dhe të pa civilizuara ndaj Kezharovskit, për shkak të indiferencës së autoriteteve ndaj grevës së urisë që po e zbaton ai Sipas zëdhënësit të LSDM-së Petre Shilegov, pushteti vazhdimisht përdor masën e paraburgimit për kërcënim dhe revanshizëm ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Prokuroria për krimin e organizuar, pas 3 muajsh hetime ka ngritur dje aktakuzën për gazetarin Kezharovski. Ai akuzohet se në vitin 2008 ka zbuluar identitetin e dëshmitarit të fshehur në një proces gjyqësor për vrasje të porositur. Benjamin Arifi