Ndërtimet pa leje zaptojnë Kishën e Laçit, nisin hetimet

2015-08-21 1

LAÇ - Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka regjistruar procedimin penal për ndërtim të paligjshëm në zonën e Kishës së Shna Ndout Laç në bazë të informacionit të mbërritur nga drejtues të këtij institucioni fetar, bën të ditur Prokuroria e Përgjithshme.

Në bazë të materialit të dërguar prej Rektorit të Kishës së Shna Ndout, në territorin e këtij objekti, subjekte private kanë nisur të ndërtojnë struktura druri dhe betoni, të cilat cënojnë të drejtën e pronësisë, si edhe mund të bëhen shkak për probleme të tjera më të rënda. Nisur nga ky shqetësim, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka vendosur regjistrimin e procedimit penal, bazuar në nenin 199/a të Kodit Penal, "Ndërtimi i Paligjshëm".

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka kërkuar nga drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin të ndjekë me përparësi këtë rast, nisur nga fakti se ky objekt fetar ka një ndjeshmëri të lartë në një komunitet të gjerë qytetarësh shqiptarë.

Free Traffic Exchange