Brazil, vendi bllokohet nga protestat pas vizitës së Papa Françeskut

2015-08-21 0

Brazil - Më pak se një orë pas vizitës së Papës në Rio de Zhaneiro në Brazil, një seri protestash kanë plasur nëpër rrugët e qytetit. Vizita e Papës ka shkaktuar zemërim te demonstruesit për shkak të kostos së lartë të shpenzimeve që janë harxhuar nga ana e qeverisë për pritjen e tij.

Rreth 300 protestues kanë demonstruar në rrugët e Rio de Zhanerios, duke hedhur bomba zjarri ndaj forcave të policisë. Dhjetëra njerëz janë lënduar dhe disa të tjerë janë arrestuar nga policia.

"Më shumë se një protestë fetare, kjo është një protestë politike" janë shprehur protestuesit.

Studenti Andre Ribeiro është shprehur se problemi ka të bëjë me shpenzimet e qeverisë, pasi janë shpenzuar më shumë se 50 milionë dollarë për vizitën e tij. Sipas tij këto para mund të ishin investuar në shëndetësi apo arsim.

Përkundër protestave, zëdhënësi i Vatikanit Federico Lombardi tha se nuk ka pasur shqetësime në lidhje me sigurinë e Papës.

Pak ditë më parë Brazili u përfshi nga protesta të mëdha lidhur me shpenzimet e qeverisë mbi Olimpiadën dhe Kupën Botërore të Futbollit.