Ministria e Brendshme paralajmëron edhe aksione tjera kundër trafikimit me qenie njerëzore. Ministrja Gordana Jankullovska tha se aksioni i fundit në fshatin Llojan të Kumanovës ka dhënë rezultate por MPB nuk duhet të ketë iluzione se me 2 apo 3 aksione mund të çrrënjosë fenomenin e emigrantëve të paligjshëm. Sipas saj, policia përveç emigrantëve të paligjshëm, do të ndjek edhe ata që i strehojnë dhe organizatorët e transportit të tyre.
"Ne nuk kemi iluzione se me 1, 2, 3 ose 5 aksione policore problemi do të zgjidhet plotësisht, në veçanti nëse merret parasysh fakti se zgjidhja apo tejkalimi i këtij problemi nuk mund të japin vetëm institucionet e Maqedonisë por nevojitet bashkëpunim edhe me vendet ku edhe kalojnë këto emigrantë. Ne edhe më tej do të vazhdojmë të punojmë në këtë problematikë, gjegjësisht do të reagojmë në mënyrë intensive, për kapjen jo vetëm të emigrantëve por edhe të organizatorëve dhe atyre që në një mënyrë përfitojnë nga transporti i tyre nëpër Maqedoni", deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Jankullovska gjithashtu tha se një pjesë të fajit e bartin edhe autoritet greke sa u përket emigrantëve të paligjshëm pasi ata nuk janë të përkushtuar sa edhe autoritetet maqedonase.
"Për fat të keq bashkëpunimi me Greqinë në këtë por edhe në çdo segment tjetër nuk është në nivel që ne dëshirojmë të jetë, nuk është as në nivelin që ne si Maqedoni kemi me çdo vend tjetër fqinjë dhe kjo vërtet paraqet vështirësi shtesë për ne pasi derisa kufiri nuk sigurohet apo kontrollohet mirë nga të dyja anët atëherë kemi problem serioz", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Ndërkohë kryetari i Bashkësisë Lokale të Llojanit, Selami Mehmeti dy ditë më parë tha se policia po bën vetëm bujë për valë arrestimesh, por kufiri, thuajse është i pa kontrollueshëm dhe emigrantët vazhdojnë të lëvizin të lirë nëpër fshatin e tyre.
"Ka mbi 200, 300 vetë malit po edhe fushës. Në ditë sigurisht nga Serbia dhe Gjevgjelia vinë 50 deri 60. Apeloj që të vazhdojë aksioni deri në pastrimin e të gjithë emigrantëve për arsye se këta i lënë dhe mbushen. Mandej hynë nëpër shtëpi dhe pasojnë fshatarët. Me të vërtetë të gjithë këta që janë zënë nuk kanë bukë për të ngrënë e buka të qon të bësh edhe kështu punë", u shpreh Selami Memeti, Kryetar i Bashkësisë Lokale të Fshatit Llojan.
Banorët e Llojanit shprehin keqardhje për arrestimin e bashkëfshatarëve të tyre dy ditë më parë pasi sipas tyre, faji nuk është tek fshatarët, por tek shteti, i cili nuk ka një qëndrim të qartë, si ndaj luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, ashtu edhe ndaj strategjisë për menaxhimin e tyre, dhe ngritjen e ndonjë kampi strehues për ta. Gjatë aksioni të fundit në Llojan janë arrestuar 30 emigrantë dhe 6 banorë të fshatit. Valmir Kuçi