Komisioni hetimor mbetet i bllokuar

2015-08-21 0

Presidenti Ivanov vazhdon të heshtë për punën e Komisionit hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit edhe përkundër paralajmërimit se dorëheqja e kreut të Komisionit Borçe Davitkovski do të shqyrtohet këtë javë. Ndërkohë kanë vazhduar edhe përplasjet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM duke mbrojtur fuqishëm pozicionet e tyre. VMRO-DPMNE i bën thirrje LSDM-së që të vazhdohet me punë duke lënë mundësinë që ata të përcaktojnë kohën dhe vendin e mbledhjes së komisionit. Sipas deputetit Ilija Dimovski, njëherit anëtar i Komisionit çdo kush mban përgjegjësi për veprimet e tyre.

"Dëshiroj të bëj thirrje publike deri te anëtarët e Komisionit të propozuar nga LSDM-ja, profesor Frçovksi dhe Deskovska në 5 ditët e ardhshme të përcaktojnë kohën dhe vendin për ta vazhduar dialogun dhe diskutimet lidhur me punën e komisionit, si dhe një vazhdim konkret të saj me seanca dhe punë të përgjegjshme të vet Komisionit. Komisioni ka 4 nga 5 anëtar aktiv të cilët mund në tërësi të bartin përgjegjësin që ta përfundojnë procesin", tha Ilija Dimovski, anëtar i Komisionit.

Por, LSDM edhe më tej vlerëson se Komisioni pa kryetar nuk ka legjitimitet që të vazhdoj me punë. Ata kërkojnë që presidenti Ivanov sa më shpejt të zgjidh statusin e kryetarit të Komisionit Davitovski.

"LSDM edhe njëherë i bën thirrje presidentit Gjorge Ivanov që në afat sa më të shkurt ta zgjidh statusin e kryetarit të Komisionit hetimor Borçe Davitkovski. Deputeti Ilija Dimovski nuk është në situatë që të vendos kushte dhe të thirr seanca të Komisionit. Nëse do ishte ashtu atëherë komisioni do të mund të fillonte me punë që nga 16 marsi kur edhe u përcaktuan anëtarët e saj ndërsa kryetari u zgjodh më 11 qershor", u shpreh Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

VMRO-DPMNE dhe LSDM edhe më tej mbeten në qëndrimet e tyre sa i përket faktit nëse ka ose jo marrëveshje mes liderëve të këtyre dy partive për vazhdimin me punë të Komisionit. Nga partia e Gruevskit theksojnë se në bisedë telefonike liderët janë marr vesh që të vazhdoj me punë Komisioni ndërsa nga partia e Zaevit theksojnë marrëveshje nuk ka por vetëm bisedë për takime joformale të anëtarëve të Komisionit. Gjyltene Rexhallari