Tetovë, banorët kërkojnë rregullimin e rrugëve

2015-08-21 0

Kjo rrugë nuk ndodhet në ndonjë fshat apo zonë malore por thuajse në zemër të Tetovës, përballë objektit të ri të USHT-së. Prej vitesh me radhë, banorët kërkojnë nga pushteti komunal rregullimin e saj, por përveç premtimeve gjatë fushatave parazgjedhore, deri tani nuk është ndërmarrë asgjë.

"Të them drejtë ka shumë vite që kërkojmë, kanë kaluar të gjitha partitë politike nëpër komuna dhe këtu nuk është punuar aspak asgjë. Kemi bë shumë herë kërkesa na kanë çuar djathtas majtas ama puna nuk është bë kur. Kjo është kërkesa që i bëj kryetares përmes jush, nëse ajo ka kërkuar një votë hallall prej këtij populli, për hir të Zotit le ta bën këtë rrugë sepse lozim fëmijët e rruga shikoni si është asgjë në rregull nuk ka këtu".

"Tepër na pengon, makinat na shkatërrohen, fëmijët rrëzohen, pluhuri na hyn nëpër shtëpi, kërkesa kemi bë na premtojnë shumë kur vijnë zgjedhjet vinë kandidatët na premtojnë por pas kësaj si e shihni vet nuk ka asgjë".

"Po shtëpitë dhe makinat na dëmton tepër. Por më shumë është problem për fëmijët".

Kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, thotë se është e informuar për gjendjen jo vetëm të kësaj rrugëve por edhe të tjerave që janë lënë pas dore, prej vitesh. Ajo thotë se rregullimi I rrugës do të fillojë, por pa saktësuar ndonjë afat.

"Nuk është vetëm ajo rrugë, janë shumë rrugë të qytetit të lëna pas dore që prej vitesh dhe që janë në gjendje të keqe, ne kemi një plan duke pasur parasysh gjendjen në të cilën është Komuna e Tetovës dhe mendoj se do arrijmë ti prekim të gjitha rrugën përfshi edhe rrugën për të cilën flisni", deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Nga ana tjetër, banorët kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa në kohë, ata do protestojnë duke bllokuar rrugën "Jashtë Vardarit".

Bashkim Sulejmani