TIRANE- Ditën e dielë krerët e partive politike PS dhe LSI, Edi Rama dhe Ilir Meta do të kenë në dorë draftin që kanë përgatitur grupet e punës të ngritura nga këto dy parti politike për programin qeverisës në 300 ditët e para.
Në një intervistë për Tv "A1 report" sekretari për programin Ilir Beqaj thotë se programi sqaron masat urgjente që ka vendi në 100 ditët e para. Sipas tij një tjetër pikë që konsiderohet e rëndësishme është edhe kontrolli i plotë i koncesioneve.
"Në programin e 300 ditëve do të përfshihen masat e menjëhershme që do të realizohen brenda 100 ditëve me përpjekjen për të rikthyer stabilitetin dhe normalitetin në disa sektorë, siç është edhe administrimi i financave publike, edhe territori, edhe rendi publik, edhe problemet e energjisë që janë gjithmonë presion mbi shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe do të bëjmë një kontroll të plotë dhe transparencë mbi të gjithë procesin e dhënies së koncesioneve dhe të zbatimit të deritanishëm të atyre koncesioneve që kanë filluar të zbatohen. Jemi angazhuar që do të zhbëjmë koncesionin e llotarisë dhe të markimit të karburantit", u shpreh Beqaj.
Ashtu si Ilir Beqja edhe Majlind Lazimi, sekretari për ekonominë në LSI, njëherësh edhe pjesë e grupit të punës për programin, tha se prioritet mbetet ekonomia ku do të rishikohen taksat si edhe ruajtja e një sistemi fiskal sa më të thjeshtë.