Tiranë - Ndërtimi i shtëpisë së vjehrrit të ministres Majlinda Bregu në Kalanë e Prezës përbën një nga shkeljet më flagrante të ligjit nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Megjithëse Neni 32 i Ligjit për Trashëgiminë Kulturore thotë se: Për monumentet e kulturës përcaktohet një sipërfaqe toke ose trualli përreth, si zonë mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistiko-estetike, me rrethinën dhe me rrethanat ekologjike, kjo nuk është zbatuar. Veç monumenteve, ka qenë edhe Komuna Bubq, ajo që ka miratuar lejen, gjë që nuk i lejohet ta bëjë për zona të tilla monumentale.
Specialisti i arkeologjisë e restaurimeve dhe njohës i mirë i trashëgimisë kulturore, Gjergji Frashëri, tregon shkeljen flagrante të ligjit me ndërtimin që po bëhet. Sipas tij, leja e miratuar duhet çuar në prokurori.
"Ne jemi këtu përpara një monumenti kulture i cili është një monument madhor, është një kështjellë. Muret e kështjellës janë aty, ketu tani bëhet një gropë e madhe. Nuk e kuptoj përse duhet të diskutojmë tani është shkelje kjo apo nuk është shkelje. Në rradhë të parë kjo është jo vetëm shkelje, por në qoftë se institucionet tona lozin në këtë mënyrë, kjo tregon se kjo na tremb. Kjo na tremb se këta njerëz e dinë shumë mirë se kjo është shkelje edhe kanë ligjet përpara, kanë rregullore, kanë metrat përpara që maten dhe këta në qoftë se lozin domethënë që janë bashkëpunëtor të shkëljes së ligjit. Pra, në këtë moment ne nuk kemi më çështje për të diskutuar. Në këtë moment ne kemi vetëm për t'ia dhënë prokurorisë këtë çështje. Domethënë nga ana për të gjykuar njerëzit e shtetit", thotë Frashëri për A1 Report.
Po Frashëri zbulon edhe një tjetër skandal, pasi sipas tij, përveçse leja e Institut të Monumenteve është në kundërshtim me ligjin, duhej dhe një tjetër leje, po kaq specifike, që ka të bëj ë me arkeolgjinë.
" Ne na takon të mbrojmë shtetin tonë, na takon të mbrojmë ligjet që shkelen. Këto fatkeqësisht nuk i shkel qytetari, por i shkel vetë nënpunësi i shtetit, vetë përgjegjësit e saj, Instituti i monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Këtu në qoftë se njëri do të arrijë të ndërtojë në këtë pikë, kjo është pjesë e monumentit dhe nëntoka e saj është arkeologji. Është jetuar në këtë kështjellë dhe nëntoka e saj ka pasuri arkeologjike. Duhen 2 leje. E para duhet leje për ndërtimin pranë monumentit të kulturës që këtë e jep Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe e miraton Këshilli Kombëtar i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës. Dhe e dyta është leja e nëntokës, sepse aty gërmohet. Aty do të hapet me gropë dhe kjo gropë duhet të kontrollohet nga ana arkeologjike", vazhdon specialisti Frashëri.
Por, a duhet të vazhdojë apo jo ky ndërtim? Arkeologu e restauratori Frashëri thotë, se pas krijimit të kësaj situate, ka vetëm një zgjidhje:
"Ne duhet t'i qëndrojmë ligjit sepse po filluam të bëjmë veprime secili sipas mendimit të vet...Ligji thotë që këtu nuk lejohe...