Dorëhiqet kreu i komisionit hetimor Borçe Davitkovski

2015-08-21 1

'Duke kërkuar brirët, i humbëm edhe veshët'. Kështu e komentoi punën e deritanishme të komisionit hetimor, Borçe Davitokovski i cili ka deponuar sot dorëheqjen e tij tek presidenti i shtetit. Megjithatë kreu i shtetit, me pretekstin se nuk ka pasur kohë për ta takuar Davitkovskin, ka deklaruar se javën tjetër, kur edhe ishte parashikuar takimi i rregullt, do të njihet me hapin e tillë të Davitkovskit. Davitkovski e kishte shprehur ndjenjën e largimit, ditë më parë, duke thënë se prezenca e tij në Komision është ishte vënë në pikëpyetje, për shkak se dy palët partiake në komision, ndanin qëndrime tepër të thella mbi konkluzionet e tij.

"Desha që të pinim një kafe dhe t'i tregoja se si është situata momentale, se Komisioni është i bllokuar... e t'i theksoja se dua të tërhiqem nga detyra për shkak se ...mendoj se prezenca ime e mëtejshme në komision është e pakuptimtë. Dallimet janë shumë të mëdha. Mendoj se bëmë një raport shumë të mirë, rekomandime të shkëlqyeshme, erdhëm shumë afër qëndrimit të përbashkët, por sërish ndajmë diferenca. Desha ta informoja kreun e shtetit dhe eventualisht të më çlironte nga ky obligim", tha Borçe davitkovski, kryetar i Komisionit hetimor.

Nga ana tjetër, Ivanov i cili gjeti kohë për ngjarje të tjera në axhendën e tij, ka theksuar se vetëm javën e ardhshme do të njihet me këtë ngërc të komisionit, nga i cili rrezikon të shpërthejë më shumë situata politike.

"Gjatë javës së ardhshme do të takohem me të, dhe do të kuptoj se deri ku është puna me Komisionin dhe cili është shkaku që e shtyu atë në këtë veprim dorëheqjeje. Javën e ardhshme planifikojë takim me të. Komisioni ka punuar me shumë mund, unë e di se një pjesë e madhe e punëve janë konstatuar, gjendja është nënvizuar, e di se janë përgatitur konkluzione, megjithatë, se për çfarë bëhet fjalë akoma nuk i kam informatat", u shpreh Gjorge Ivanov, president i shtetit.

Davitkovski nuk përjashton mundësinë se nëse palët në komision bien dakord në kapërcimin e këtij ngërçi në punën e komisionit dhe të arrijnë një marrëveshje të pranueshme nga të dy palët, ai i gatshëm ta firmos raportin konkludues. Bedri Rexhallari