Arvizu takon Metën: Amerikanët duan mundësi që të investojnë këtu

2015-08-21 0

TIRANE - Ambasadori amerikan Alexandër Arvizu dhe përfaqësues të Dhomës Amerikanë të Tregtisë janë takuar sot me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta në selinë e kësaj partie. Ata kanë biseduar për mundësitë e investimit të kompanive amerikane në Shqipëri, krijimin e hapësirave të duhura ligjore dhe transparencën që do ofrojë, qeveria e re.

Ambasadori Arvizu theksoi pas takimit se "folëm për punësimin dhe ekonominë, punësimin dhe ekonominë, punësimin dhe ekonominë! Si amerikanë jemi realistë përsa i përket arsyeve gjeografike, historike, avantazheve që partnerët historikë të Shqipërisë kanë, por amerikanët janë duke kërkuar për mundësi të reja.

Ajo që unë kuptoj qartë sa herë flas me investitorët amerikanë është se në Shqipëri ka mundësi investimi dhe ne kemi biseduar përsa i përket klimës së biznesit. Na duhet më shumë transparencë. I urojmë gjithë të mirat, qevrisë së re!"

Përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë tha nga ana e tij: "Punësim, punësim, punësim! Kjo është tematika kryesore në botë dhe ajo ku ne duam të fokusohemi. Por punësimin nuk e siguron qeveria, po sektori privat dhe ne presim një strukturë të qartë nga qeveria përsa i përket funksionimit të biznesit në këtë vend. Biznesi amerikan ka qënë aktiv dhe do vazhdojë të jetë i angazhuar në Shqipëri."

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta tha se "ne ndajme qëllime të përbashkëta për një të ardhme më të mirë, për mundësi më të mira, për zhvillim ekonomik se kjo do ndihmojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. I shpreh falenderimet e mia Dhomës Amerikane të Tregtisë e uroj që kjo klimë biznesi të përmirësohet në mënyrë thelbësore në mënyrë që ligjet të zbatohen dhe hapësirat për investime të shtohen me shpejtësi."