Komisioni kuvendor i Shëndetësisë e rrëzoi propozim/ligjin për mbrojtje nga pirja e duhanit, i paraqitur nga deputeti Ivon Veliçkovski. Një propozim i tillë, mundësonte përdorimin e duhanit në hapësira të mbyllura që kanë sistem ajrosjeje. Propozimi i Veliçkovskit parashikon kështu pirje duhani në objekte hoteliere ku shërbehet ushqim, kafene, spitale psikiatrike, azilet e pleqve, burgje, qendrat tregtare dhe stacionet e trenave. Sipas tij hotelierët duhet të vendosin vetë nëse do të lejojnë apo jo pirjen e duhanit në ambientet e tyre.
"Propozimi është shumë i kujdesshëm dhe parashikon që në objekte deri në 50 m2 personi përgjegjës në objektin hotelier mund të zbatojë edhe ndalesën e plotë ose të lejojë përdorimin e duhanit në të gjithë objektin e tij. Ndërkaq, në objektin hotelier mbi 50 m2, po ashtu të zbatojë ndalesën e tërësishme të pirjes së duhanit ose të aplikoj ndalesën e pjesshme, në të paktën 50 % të sipërfaqes së hapësirës", deklaroi Ivon Veliçkovski, deputet i Partisë Liberale.
Deputetët e LSDM-së thanë se do t'i përkrahin modifikimet në ligj, por nga VMRO-DPMNE-ja u treguan të prerë, se shëndeti i qytetarëve duhet të jetë në rend të parë.
"Mendoj se bëhet fjalë për një zgjidhje të mirë ligjore dhe duhet të përkrahet në fazën e parë, por kam shumë vërejtje edhe në pjesën e aplikimit të akteve të caktuara dhe në pjesën e dhënies së gjobave", tha Mende Dinveski, deputet i LSDM-së.
"Ky ligj është për të drejtën e duhanxhinjve dhe përfitimin e organizatave hoteliere sepse është zvogëluar fitimi i tyre... dhe kjo dëmton ekonominë e vendit. Por, a besoni ju vërtet, se një vend mund të ekonomi të shëndosh nëse nuk ka njerëz të rinj dhe popullatë të shëndoshë? Nëse kemi më shumë njerëz nëpër spitale, atëherë kush do ta mirëmbajë atë ekonomi", u shpreh Silvana Boneva, deputete e VMRO- DPMNE-së.
Si argumente kryesore për propozim/ligjit të ri, Veliçkovski përmendi të dhënat se që nga miratimi 5 vjet më parë i ndalimit të duhanit, numri i sëmundjeve malinje nuk është zvogëluar aspak, ndërkohë që qarkullimi monetar në objektet hoteliere, ka rënë për 30-50 për qind. Bojana Simonoviq