Tiranë, një 19-vjeçare shtatzënë mbërrin e vdekur në maternitet

2015-08-21 0

TIRANË - Një 19-vjeçare, në muajin e 5 të shtatzënisë ka ndërruar jetë ditën e hënë, ndërsa familjarët e saj po e çonin në spital. Deri tani mbeten enigmë shkaqet e vdekjes, ndërsa çështja po ndiqet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Vajza e re ka mbërritur e vdekur pikërisht në maternitetin "Koço Gliozheni" në kryeqytet. Ajo ka inicialet M.H. Lajmi është pohuar nga drejtoresha e maternitetit, Rubena Mojsiu, e cila tha për "A1 Report", se gruaja e re shtatzënë kishte ndërruar jetë para se të mbërrinte në maternitet dhe se mjekët nuk patën mundësi ta ndihmonin shtatzënën.

Për rrjedhojë, rasti është referuar në policinë Tiranë, duke i hapur kështu rrugë kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore.

Aktualisht familjarët nuk kanë paraqitur asnjë kallëzim pranë Prokurorisë së kryeqytetit. Nëse ky denoncim do të vijë në ditët e mëtejshme ekzistojnë të gjitha mundësitë për të nisur hetimet. Ndërsa rezultatet e ekspertizës kërkojnë të paktën 3 javë kohë, për të mësuar shkaqet që mund të kenë sjellë vdekjen e nënës së re shtatzënë.

Vetëm një javë më parë, një 22-vjeçare humbi jetën në muajin e nëntë të shtatzënisë, 3 orë pasi ishte futur në sallën e operacionit në maternitetin e Lezhës. Familjarët e të resë denoncuan rastin duke akuzuar mjekët për vdekjen e Lorena Ymerit.

Free Traffic Exchange