Ballsh - Punonjësit e rafinerisë së Ballshit të bashkuar me punonjës të uzinave të tjera në Fier kanë zhvendosur protestat e tyre në rrugën nacionale Fier - Vlorë. Rreth 1 mijë punonjës protestuan për të katërtën ditë kundër vendimit të tatimorëve për mbylljen e aktivitetit të rafinerisë.
Arsyeja e bllokimit sipas protestuesve është presioni shtetëror për të rrëmbyer aksione të ARMO-s dhe pasi sipas tyre kjo situatë do të bllokonte të ardhurat për qindra familje në Fier. Në këto kushte ata kanë deklaruar se protestat e tyre nuk do të ndalen deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje.
"Ne kërkojmë nga qeveria që nafta, pasuria shqiptare të përpunohet në Shqipëri. Të zhbollokohet dhe të fillojë puna. Nga drejtoria jonë janë bërë kërkesat për institucionet përkatëse për të zhbllokuar këtë situatë. Përgjigjia jonë do të jetë kjo: Do të vazhdojmë deri sa të marrim përgjigje", thanë punonjësit e rafinerisë së naftës.
Në këtë protest mori pjesë edhe jursiti i kompanisë, i cili tre ditë më parë u ndalua nga policia me akuzën e pengimit të detyrës së punonjësve të tatimeve.
"Policia në mënyrë që të shpëtonte veprimet e paligjshme të grupit të tatimit, të cilët pa asnjë akt zyrtar bllokuan duke abuzuar me detyrën, haptazi bllokuan portën hyrëse të rafinerisë.
Në momentin që unë vajta për të bërë kallëzim penal, në atë moment policia jo vetëm që nuk më pranoi kallëzimin, por në mënyrë krejt të kundraligjshme njoftoi grupin e hetimit tatimor, të cilët vajtën dhe depozituan ata një kallëzim kundër meje", u shpreh për A1 Report juristi i kompanisë, Noel Veizi.
Proesta ishte paqësore dhe ishte e mbikqyrur nga policia e rendit. Bllokimi i punës në këtë uzinë sjell rreziqe të mëdha jo vetëm për ambientin, por edhe vetë jetën e punonjësve dhe banorëve që jetojnë aty pranë.