Tiranë, burri vret gruan me automatik, më pas vetëplagoset

2015-08-21 2

TIRANE- Krimi në familje godet sërish, një 42-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri gruan e tij e më pas është vetëplagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në kryeqytet, në rrugën "Sadik Petrela", në zonën e njohur si "Kodra e Priftit". Pas një grindje për motive të dobëta, Ilirjan Cani, ka qëlluar me armë automatik, tip kallashnikov, ne banesë bashkëshorten e tij, Alketa Cani, 37 vjeç, e cila si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Ndërkaq, Ilirjan Cani, pasi ka qëlluar veten me të njëjtën armë ka pësuar vdekje klinike, ndërsa me mbërritjen e ambulancës është dërguar në spital, dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Çifti debatonte herë pas here për shkak se 42-vjeçari, Ilirjan Cani, konsumonte pije alkoolike, si dhe për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Ilirjan dhe Alketa Cani, kanë dy fëmijë 3 dhe 12 vjeç. Dy djemtë e çiftit në momentin e ngjarjes nuk ndodheshin në shtëpi, pasi kishin shkuar në plazh.
Debati ka kaluar deri në përdorimin e armës, me të cilën Ilirjani ka qëlluar 5 plumba mbi trupin e 37-vjeçares.
Ilirjan Cani, punonjës në repartin ushtarak në Zall Her, ishte shoqëruar disa herë në polici për dhunë ndaj gruas së tij.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë, dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.